Tre zyrtarë policorë dyshohet se i kërkuan favore seksuale një vajze pa patentë

Gjatë patrullimit në orarin e punës, në mesnatën e 15 tetorit, tre zyrtarë policorë ndaluan për kontroll një automjet që drejtohej nga një vajzë.

Të lidhura

None found

Kur i kërkuan dokumentet, ata konstatuan se shoferja nuk kishte leje vozitjeje.

Sipas burimeve, në mënyrë që ajo të mos ndëshkohej me gjobë, tre policët dyshohet se i propozuan të shkonte me ta në një motel në Çagllavicë, në këmbim të favoreve seksuale.

Vajza u nis me automjet pas tyre, por gjatë rrugës ndryshoi drejtim dhe shkoi te tezja e saj, e cila gjithashtu është kolege e tre zyrtarëve të uniformuar.

Së bashku me familjaren, ajo shkoi deri te rrethi i Çagllavicës, ndërsa policët mbetën duke pritur në automjet dhe nuk dolën prej tij.

Familjarja e vajzës u përball me ta dhe u bëri të ditur se kishte përgatitur një raport të hollësishëm, të cilin do t’ia dorëzonte komandantit të tyre në Stacionin “Jugu” në Prishtinë.

Më pas, ajo e raportoi rastin në Polici dhe dorëzoi edhe provat që kishte në dispozicion.

Pas procedurave të zhvilluara, Inspektorati Policor dyshoi se tre zyrtarët policorë, pjesë e gjeneratave të fundit, kishin kryer dy vepra penale.

Për këtë rast, me udhëzim të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, është iniciuar procedurë penale për veprat e dyshuara.


Shtuar më 17.10.2026 20:36