Klafuriç: Reaguam pas minutës së 70-të, por lojtarët nuk ishin në formën e tyre më të mirë

Tirana fitoi 1-0 ndaj Laçit në përballjen e javës së shtatë të Superiores, të luajtur në stadiumin e Vorës. Pas ndeshjes, trajneri i skuadrës fituese, Dean Klafuriç, komentoi për mediat vështirësitë e takimit dhe paraqitjen e ekipit të tij.

Të lidhura

None found

“Ishte njëkohësisht një fitore e rëndësishme dhe e vështirë. Laçi është kundërshtar i fortë dhe dua ta përgëzoj për lojën. Lojtarët e tyre mbështesnin njëri-tjetrin, ndaj ishte e vështirë të luanim kundër tyre. Mënyra e tyre e lojës nuk na përshtatej. Fitorja kishte rëndësi edhe sepse lojtarët e mi, në më shumë se 90 për qind të rasteve, nuk ishin në gjendjen e tyre optimale, ashtu si edhe fusha”, u shpreh Klafuriç.

Trajneri tha se Tirana përmirësoi lojën pas pushimit të ndeshjes. “Jam shumë i lumtur që reagimi erdhi në pjesën e dytë. U zgjuam dhe, nga ana taktike, ishim më të mirë sesa në pjesën e parë. Kur nuk je në nivelin e duhur dhe nuk e ke ditën tënde, është e rëndësishme të reagosh. Këtë mund ta bëjnë vetëm ekipet me cilësi. Lojtarët janë njerëz dhe nuk mund të jenë gjithmonë në ditën e tyre më të mirë”, tha ai.

I pyetur për ndikimin e zëvendësimeve pas minutës së 70-të dhe vendosjen mbrojtëse të Laçit, Klafuriç theksoi se kundërshtari ishte shumë agresiv dhe kompakt. “Kjo ishte një nga arsyet pse ne nuk patëm ditën tonë më të mirë. Pas zëvendësimit të Dacit, bëmë edhe disa ndryshime taktike. Berisha kaloi në të djathtë dhe u paraqit shumë mirë; edhe golin e shënoi ai. Ndryshuam pak skemën dhe aktivizuam lojtarë që mund të sillnin më shumë në hapësirat mes linjave. Edhe Hazrollaj nuk ishte në formën e tij më të mirë”, deklaroi trajneri.

Klafuriç pranoi se Tirana nuk luajti në nivelin e shfaqur në derbi. “Po, e pranoj. Ishim nën nivelin e cilësive tona dhe për këtë ka disa arsye. Lojtarët nuk ishin në ditën e tyre më të mirë. Nuk mund të krijojmë histori çdo ditë. Nuk ishim mirë dhe nuk treguam agresivitet. Jam dakord që nuk luajtëm siç kemi luajtur më parë, por, pavarësisht kësaj, shfaqëm cilësitë tona dhe nuk e lejuam Laçin të krijonte raste”, përfundoi ai.


Shtuar më 17.10.2026 15:58