Aplikimet për vaksinimin kundër gripit sezonal janë hapur tashmë në sistemin elektronik „Termini Im”, ndërsa procesi i imunizimit në Maqedoninë e Veriut pritet të nisë të hënën.
Të lidhura
None found
Deri tani janë siguruar 30 mijë doza të vaksinës. Edhe 26 mijë të tjera pritet të mbërrijnë deri më 15 nëntor, ndërsa synimi i autoriteteve shëndetësore është që për këtë sezon të sigurohen gjithsej 80 mijë doza.
Vaksinimi do të organizohet sipas prioriteteve mjekësore. Në grupet që do të kenë përparësi përfshihen personat mbi 65 vjeç, të sëmurët kronikë, gratë shtatzëna, punonjësit e shëndetësisë dhe fëmijët e moshës nga gjashtë muaj deri në pesë vjeç.
Autoritetet presin gjithashtu furnizimin me vaksina të reja BCG, të cilat mbrojnë të porsalindurit nga tuberkulozi. Dozat e siguruara përmes UNICEF-it nga një prodhues japonez pritet të mbërrijnë brenda pak ditësh.
Furnizimi i mëparshëm me vaksinën BCG ishte pezulluar përkohësisht si masë paraprake, pasi në Kroaci ishin raportuar katër raste të osteomielitit te fëmijët.






