Protesta e të rinjve në Shqipëri pritet të vijojë edhe sot, në ditën e pestë të revoltës ndaj qeverisë. Studentët e Mjekësisë do të mblidhen fillimisht pranë fakultetit të tyre, për të marshuar më pas drejt Ministrisë së Arsimit.
Krahasuar me një ditë më parë, kur tubimet u shoqëruan me tensione dhe përplasje me policinë, situata në kryeqytet këtë mëngjes duket më e qetë. Pavarësisht kësaj, Policia e Shtetit ka ndërmarrë masa për garantimin e rendit gjatë protestave.
Të lidhura
None found
Gjatë ditës së djeshme, disa qytetarë denoncuan në News24 kontrollet e kryera nga efektivët në rrugë. Ata pretenduan se ishin ndaluar ndërsa po merreshin me aktivitetet e tyre të përditshme. Sipas raportimeve, policët u kërkuan të hapnin çantat, ndërsa disa nga personat e kontrolluar u shoqëruan në komisariat. Pamjet e kontrolleve u transmetuan drejtpërdrejt nga News24.
Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pranë Kryeministrisë, ku protestuesit janë mbledhur çdo mbrëmje, sot vërehet një numër më i vogël efektivësh policie. Informacioni u bë i ditur nga gazetarja e News24, Xhensila Kodra, gjatë raportimit live nga vendngjarja.
Pas godinës së Kryeministrisë vijon të qëndrojë një autobot me ujë, i vendosur që në ditën e parë të protestave studentore si pjesë e masave të policisë për menaxhimin e tubimeve.
Prej 4 ditësh, protesta masive po zhvillohen në Tiranë dhe në rrethe. Në to janë përfshirë gjimnazistë dhe studentë, të cilët kundërshtojnë kryeministrin Edi Rama dhe kërkojnë largimin e qeverisë.





