Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar për grevën e punëtorëve teknikë të shkollave, duke kritikuar moszbatimin e pagës minimale për të punësuarit në sektorin privat.
Të lidhura
None found
Në një postim në Facebook, ajo tha se punëtorët teknikë të shkollave, të angazhuar nga kompani private me kontrata nga komunat, paguhen ende 390 euro në muaj. Kjo ndodh edhe pse paga minimale prej 500 eurosh bruto hyri në fuqi më 1 korrik 2026.
Bajrami i bëri thirrje Inspektoratit Qendror të Punës të ndërhyjë ndaj kompanive që nuk zbatojnë vendimin për pagën minimale.
“Nëse kompanitë nuk mund t’i përballojnë shpenzimet shtesë që vijnë nga vendimi i Qeverisë, duhet t’i drejtohen kontraktorit të tyre dhe të kërkojnë ndryshimin e kontratave. Por, vështirësitë kontraktuale nuk duhet të zgjidhen kurrë në kurriz të punëtorëve dhe Inspektorati nuk duhet ta lejojë këtë situatë”, u shpreh Bajrami.
Ajo kritikoi gjithashtu dallimin në trajtimin e punonjësve të sektorit publik dhe atij privat, duke rikujtuar se për pagën e 13-të të punonjësve publikë janë ndarë rreth 130 milionë euro.
“Përmes rishikimit të buxhetit, Qeveria ka ndarë rreth 130 milionë euro për pagën e 13-të në sektorin publik, ndërsa punëtorët që pastrojnë shkollat e fëmijëve tanë nuk marrin as pagën minimale. Qeveria duhet të garantojë zbatimin e vendimeve të saj, komunat të mbajnë përgjegjësi për kontratat që kanë lidhur, ndërsa kompanitë private të respektojnë të drejtat e punëtorëve. Paga minimale nuk është privilegj apo zgjedhje: ajo është detyrim ligjor dhe duhet të zbatohet nga të gjithë”, shkroi Bajrami.



