Rastet e dyshuara të shkeljes së ligjit nga efektivët e Policisë së Shtetit gjatë protestave në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit janë vënë në verifikim nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP).
Përmes një njoftimi për mediat, agjencia ka bërë të ditur se stafi i saj ka ndjekur protestat në terren dhe ka identifikuar raste konkrete. Krahas tyre, AMP ka mbledhur edhe regjistrime të shfaqura në media apo të publikuara në rrjetet sociale.
Të lidhura
None found
Këto materiale do të analizohen dhe verifikohen për të zbardhur rrethanat dhe për të përcaktuar përgjegjësitë.
Në rastet kur të dhënat e konstatuara mund të tregojnë elemente të veprave penale, procedurat po zhvillohen nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Për rastet e identifikuara, AMP njofton se po ndërmerr veprimet që i lejojnë kompetencat ligjore, duke bashkëpunuar me strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit. Sipas agjencisë, ky bashkëpunim nuk do të ndikojë në pavarësinë e verifikimeve dhe të hetimit.
AMP ka deklaruar gjithashtu se do të vazhdojë të monitorojë dhe të verifikojë çdo rast të lidhur me kryerjen e detyrës nga punonjësit e policisë.
Agjencia nënvizon se në këtë proces do të udhëhiqet nga paanshmëria, llogaridhënia dhe zbatimi i ligjit, si dhe nga respektimi i të drejtave e lirive themelore të qytetarëve.


