Federata Belge e Futbollit (RBFA) ka kërkuar sqarime nga FIFA për rastin e Folarin Balogun, çështje që ka bërë që organizata ndërkombëtare të angazhohet për ndryshimin e nenit 27 të rregullores disiplinore.
Të lidhura
None found
Çështja u ngrit gjatë mbledhjes së Këshillit të FIFA-s në Cyrih, ku mori pjesë edhe presidentja e RBFA-së, Pascale Van Damme, e cila është njëkohësisht anëtare e këtij organi.
Van Damme i paraqiti Këshillit të FIFA-s tri pyetje që lidhen me zhvillimin e procedurës disiplinore dhe rrethanat e veçanta të rastit.
Njëra prej tyre lidhej me ndërhyrjen e pranuar publikisht nga presidenti amerikan Donald Trump në çështjen Balogun. Federata belge kërkoi të sigurohej se procedura nuk ishte ndikuar nga asnjë faktor apo presion i jashtëm.
RBFA kërkoi gjithashtu të dijë se cilat ishin rrethanat e jashtëzakonshme që çuan në vendimin përfundimtar dhe mbi çfarë kriteresh u zbatua neni 27 në raste të ngjashme.
Pyetja e tretë kishte të bënte me mundësinë që federatat anëtare të dëgjohen në proceset dhe vendimet e ardhshme të organeve disiplinore të FIFA-s.
Sipas palës belge, FIFA sqaroi se organet e saj disiplinore i marrin vendimet në mënyrë të pavarur.
Megjithatë, institucioni konfirmoi se neni 27 do të rishikohet pas shqetësimeve të ngritura nga RBFA. Propozimi pritet të votohet më 16 dhjetor në Doha, ku FIFA do të japë edhe shpjegime për rrethanat specifike të rastit Balogun.
Pascale Van Damme e konsideroi të rëndësishëm zotimin e FIFA-s për ndryshimin e rregullores, por nënvizoi se federata belge ende kërkon qartësi për mënyrën se si zbatohen dispozitat.
Ajo tha se konfirmimi për ndryshimin e nenit 27, i kërkuar nga RBFA që në korrik, përbën një hap të rëndësishëm, por nuk e mbyll çështjen. Sipas saj, Belgjika kërkon jo vetëm rregulla të reja, por edhe transparencë mbi zbatimin e tyre.
Van Damme theksoi se transparenca, siguria juridike dhe qeverisja e mirë duhet të përbëjnë bazën e çdo vendimi në futbollin ndërkombëtar, duke shtuar se federata do ta monitorojë nga afër zhvillimin e rastit.





