Në Maqedoninë e Veriut, gjatë dy viteve të fundit janë evidentuar më shumë se 65 tonë ushqime të kthyera dhe 1.500 tonë të mbajtura në kushte të papërshtatshme. Oliver Millanov, drejtor i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, e konsideron të çuditshëm kthimin nga shtetet e rajonit të prodhimeve vendore që, sipas analizave, rezultojnë të sigurta.
Të lidhura
None found
Kthimet më të fundit janë bërë nga Bullgaria, Kroacia dhe Serbia. Këto vende kanë refuzuar produkte ushqimore të fermerëve nga Maqedonia e Veriut, duke pretenduar se përmbajnë pesticide mbi normat e lejuara. Ende nuk është sqaruar përse këto produkte u dërguan sërish në vendin e origjinës, në vend që të konfiskoheshin dhe të asgjësoheshin. Ndërkohë, ekzistojnë dyshime se ato kanë përfunduar në tregun vendas. Agjencia për Ushqim dhe Veterinari pohon se kontrollet e saj të cilësisë nuk kanë zbuluar parregullsi.
Duke shpjeguar problemet me produktet e kthyera, drejtori Oliver Milanov tha se shkaku lidhet me pasaktësi në deklarimin e tyre nga operatorët ushqimorë dhe jo me keqpërdorime. Ai u kërkoi operatorëve dhe prodhuesve të tregojnë kujdes kur deklarojnë produktet, ndërsa konsumatorëve u bëri thirrje të jenë të vetëdijshëm për ushqimet që konsumojnë. Sipas tij, analizat e marra tregojnë se bëhet fjalë për produkte të sigurta e cilësore, të cilat përfshijnë jo vetëm mishin dhe qumështin, por edhe kategori të tjera ushqimore.
Agjencia vlerëson se kontrollet e zakonshme në tregje duhet të shoqërohen me masa më të rrepta ndaj operatorëve që shkelin rregullat për sigurinë e ushqimit.
Për rezultatet e këtyre kontrolleve, Milanov njoftoi se një ditë më parë ishin bllokuar 2 tonë produkte, ndërsa gjatë ditës së sotme ishin ndaluar edhe 6 tonë të tjera. /Alsat.







