Në spitalin e Cecinës, në provincën e Livornos, Itali, një çift u paraqit me një foshnjë të porsalindur pa shenja jete, të cilën e kishte vendosur në një qese.
Të lidhura
None found
Ngjarja ndodhi në mëngjesin e 15 tetorit, raportojnë mediat italiane. Sipas gazetës “Il Tirreno”, gruaja shkoi në urgjencë e shoqëruar nga partneri dhe u tha mjekëve se nuk e kishte ditur që ishte shtatzënë.
“Nuk e dija që isha shtatzënë”, mësohet të ketë thënë ajo sapo mbërriti, duke iu drejtuar mjekëve dhe infermierëve.
Stafi mjekësor u përpoq menjëherë t’i jepte ndihmë foshnjës, por ajo kishte vdekur dhe nuk mund të shpëtohej.
Në dëshminë e saj në polici, gruaja tregoi se ishte në banesë me partnerin kur filloi të ndiente dhimbje në bark.
Partneri po flinte në atë kohë. Ajo shkoi në tualet, fillimisht duke menduar se kishte një shqetësim me tretjen. Sipas rrëfimit të saj, nuk e kishte kuptuar se ishte shtatzënë dhe nuk priste të lindte.
Të dhënat paraprake tregojnë se foshnja ishte e vogël dhe mund të kishte ardhur në jetë në javën e 30-të ose të 32-të të shtatzënisë.
Prokuroria e Livornos ka bërë të ditur se do të kryhet autopsia e foshnjës. Ndërkohë, hetuesit po verifikojnë rrethanat për të rindërtuar ngjarjen.
Ekspertiza mjekoligjore pritet të përcaktojë shkakun e vdekjes dhe të hedhë dritë mbi rrethanat e lindjes. Hetimet vazhdojnë dhe autoritetet ende nuk kanë dhënë një përfundim zyrtar për shkakun e vdekjes.






