Që nga viti 2021, braziliani Vitor Hugo është pjesë e Dukagjinit dhe gjatë kësaj periudhe ka krijuar një raport të veçantë me klubin nga Klina. Ai është ambientuar me futbollin kosovar, ka përjetuar suksese me skuadrën dhe tani synon që së bashku me bashkëlojtarët të luftojë për arritje edhe më të mëdha.
Të lidhura
None found
Në një intervistë për Telegrafin, mesfushori ka folur për përvojën e tij në Kosovë, bashkëpunimin me trajnerin Armend Dallku, detyrat që kryen në fushë dhe objektivat e Dukagjinit gjatë këtij sezoni.
Hugo mund të aktivizohet para vijës së mbrojtjes, por edhe në rolin e një mesfushori që mbulon gjithë fushën. Ai e çmon besimin e marrë nga trajneri dhe thekson se dëshiron të vazhdojë përmirësimin e tij, duke kontribuar që skuadra të arrijë rezultatet e synuara.
Braziliani ka treguar se qëndrimi në Kosovë e ka lidhur ngushtë me Dukagjinin, i cili sipas tij është shndërruar në një pjesë të rëndësishme të jetës së tij profesionale dhe personale. Ai thotë se në klub është ndier gjithmonë i respektuar e i vlerësuar, ndërsa mirënjohjen ndaj drejtuesve dhe tifozëve përpiqet ta shfaqë përmes angazhimit maksimal në fushë.
Besimin e Armend Dallkut ai e konsideron një element shumë të rëndësishëm për një futbollist. Hugo shprehet se përpiqet t’i përgjigjet kësaj mbështetjeje në çdo stërvitje dhe ndeshje, duke synuar t’i japë ekuilibër ekipit, të ndihmojë në rikuperimin e topit, të marrë pjesë në ndërtimin e aksioneve dhe të kontribuojë në fazën sulmuese sa herë që i krijohet mundësia.
Dukagjini aktualisht renditet në vendin e tretë me 16 pikë, ndërsa mesfushori brazilian beson se skuadra e Klinës ka potencial për të synuar rezultate edhe më të mëdha gjatë këtij sezoni.
Sipas tij, pozita në tabelë dëshmon cilësinë dhe kapacitetin e ekipit për të garuar në nivel të lartë. Megjithatë, duke qenë se sezoni është ende i gjatë, Hugo kërkon përqendrim të vazhdueshëm, punë me të njëjtin përkushtim, unitet dhe vazhdimësi, pasi këto elemente mund ta çojnë Dukagjinin drejt arritjeve të rëndësishme.
Ai ka bërë edhe një krahasim mes futbollit të Brazilit dhe atij të Kosovës. Në vendlindjen e tij, sipas Hugo, vëmendje më e madhe i kushtohet aftësive individuale, kreativitetit dhe improvizimit. Ndërsa në Kosovë ai ka hasur më shumë intensitet, forcë fizike, konkurrencë dhe disiplinë taktike. Përvoja në futbollin kosovar, shton ai, e ka ndihmuar të zhvillojë cilësi të reja dhe të bëhet një futbollist, por edhe një person, më i kompletuar.
Pas fitores 1-0 ndaj Vushtrrisë, Hugo ka kërkuar që skuadra të mos e ulë ritmin dhe të vazhdojë me të njëjtin përkushtim, në mënyrë që të mbetet mes ekipeve të kreut.
Triumfi ndaj Vushtrrisë, sipas tij, ka rritur besimin dhe ka dëshmuar vlerën e punës së bërë deri tani. Megjithatë, ai paralajmëron se ekipi nuk duhet të vetëkënaqet, pasi çdo ndeshje sjell vështirësi të reja. Për këtë arsye, Dukagjini duhet të punojë fort dhe në çdo sfidë të hyjë me mentalitetin e fitores.
Sa i përket objektivave, braziliani synon të vazhdojë zhvillimin personal dhe ta ndihmojë Dukagjinin të luftojë për pozitat e larta, kualifikimin në garat evropiane dhe, nëse është e mundur, fitimin e një tjetër trofeu.
Hugo kujton se sezonin e kaluar Dukagjini e fitoi Kupën e Kosovës, sukses që e përshkruan si një moment shumë të veçantë për të gjithë ekipin. Ai e pranon se përsëritja e një arritjeje të tillë është e vështirë, por beson se skuadra ka cilësinë, etikën e punës dhe ambicien e nevojshme për të synuar rezultate të reja. Braziliani thekson se ka shumë dashuri për këtë klub dhe se do të ishte e veçantë të vazhdonte të shkruante histori me të.




