Papa Leone XIV në foton e parë pas ndërhyrjes kirurgjikale, kryeson Meshën në spital

Papa Leone XIV kryesoi sot në orën 12:00 meshën e parë që prej shtrimit në spital. Vatikani njoftoi se kremtimi u mbajt në një sallë të posaçme në katin e dhjetë të Poliklinikës Gemelli në Romë, ku Ati i Shenjtë po rikuperohet nga operacioni i kryer të martën.

Të lidhura

None found

Të pranishëm në ceremoni ishin mjekë, infermierë dhe punonjës të tjerë të spitalit që në atë orë nuk ishin në shërbim, së bashku me pjesëtarë të Xhandarmërisë së Shtetit të Qytetit të Vatikanit.

Në homeli, Papa u shprehu mirënjohjen punonjësve të shëndetësisë për kujdesin që u ofrojnë çdo ditë të sëmurëve dhe për përkushtimin ndaj personave me shëndet të brishtë. Një falënderim të veçantë ua drejtoi mjekëve, infermierëve dhe personelit tjetër që janë kujdesur për të gjatë këtyre ditëve.

Buletini më i fundit mjekësor përshkruan një përmirësim të vazhdueshëm të gjendjes së tij të përgjithshme. Ecuria e mirë e rikuperimit është vërtetuar edhe nga analizat e gjakut dhe radiografia e toraksit, të realizuara mëngjesin e së premtes.

Ati i Shenjtë vazhdon fizioterapinë respiratore dhe tashmë, falë rikuperimit pas ndërhyrjes, mund t’i kryejë vetë veprimtaritë e zakonshme të ditës. Këto të dhëna i kanë njoftuar Luigi Carbone dhe Stefano Margaritora, mjekët që po mbikëqyrin gjendjen e tij shëndetësore.

Zyra e Shtypit e Vatikanit ka konfirmuar gjithashtu se lutja e Engjëllit të Zotit do të zhvillohet. Të dielën, kur bëhet një javë nga njoftimi i papritur për shëndetin e tij, Papa pritet të vijojë traditën e lutjes së përjavshme, por vendi dhe mënyra e mbajtjes së saj ende nuk janë bërë publikë.

Sipas Zyrës së Shtypit të Vatikanit, Papa është në humor të mirë dhe, gjatë qëndrimit në spital, ka vazhduar të punojë. Ende mbetet e papërcaktuar nëse Leone XIV do të largohet nga Poliklinika Gemelli të shtunën apo gjatë ditëve pasuese.

Burime nga Vatikani kanë sqaruar se për momentin vlen afati fillestar prej shtatë ditësh rikuperimi, i dhënë nga mjekët, ndërsa ecuria do të vlerësohet në vijim.


Shtuar më 16.10.2026 17:27