Azizi: Letërnjoftimi dhe patenta e shoferit së shpejti edhe në telefon

Aplikacioni mobil m.Shërbime pritet të fillojë së shpejti të përdoret, ka njoftuar zëdhënësja e Qeverisë, Venera Latifi Azizi. Përmes digjitalizimit, ai synon t’ua lehtësojë qytetarëve qasjen në shërbimet publike dhe të përshpejtojë procedurat administrative.

Të lidhura

None found

Në fazën e parë, qytetarët do të mund ta kenë letërnjoftimin dhe patentën e shoferit në formë elektronike në telefonin mobil. Aplikacioni do të ofrojë gjithashtu qasje në tri shërbime elektronike.

Azizi ka sqaruar se aplikacioni do të jetë falas dhe do të shkarkohet nga Google Play ose App Store. Për t’u kyçur, qytetarët do të përdorin llogarinë që kanë në portalin kombëtar të shërbimeve elektronike, uslugi.gov.mk.

Sipas zëdhënëses, projekti është pjesë e përpjekjeve të Qeverisë për të modernizuar shërbimet publike dhe për ta bërë komunikimin mes qytetarëve dhe institucioneve më të thjeshtë, më të shpejtë dhe më efikas.

Përdorimi i m.Shërbime do të jetë vullnetar, ndërsa dokumentet fizike do të mbeten në përdorim, ka theksuar Azizi. Aplikacioni do të jetë një mënyrë shtesë dhe praktike për t’iu qasur dokumenteve personale.

Projekti synon t’i bëjë shërbimet publike digjitale më të qasshme për qytetarët dhe t’i zhvillojë ato në përputhje me standardet evropiane.


Shtuar më 16.10.2026 16:28