Donald Trump ka sulmuar vendimin e Ukrainës për të rinisur goditjet ndaj rafinerive të naftës në Rusi. Presidenti amerikan i quajti veprimet “turp” dhe tha se ato po ndikojnë në rritjen e çmimeve të karburantit në tregjet botërore.
Të lidhura
None found
Në një intervistë për televizionin Newsmax, Trump tha se bashkëpunimi me Volodymyr Zelenskyn është më i vështirë sesa me Vladimir Putinin. Ai shprehu gjithashtu dyshime nëse presidenti ukrainas dëshiron vërtet të arrijë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës.
“Është për të ardhur keq! Ka kaq shumë objektiva të tjera”, tha Trump, duke iu referuar sulmeve ukrainase ndaj infrastrukturës energjetike ruse.
Sipas tij, goditjet po ndikojnë në tregun ndërkombëtar të energjisë. “E tëra çfarë bën është të rrisë çmimet e naftës në mbarë botën”, u shpreh presidenti amerikan.
Trump kritikoi edhe qëndrimin e Kievit në bisedimet për përfundimin e konfliktit. “Është më e vështirë të punosh me Zelenskyn sesa me Putinin”, deklaroi ai, duke pretenduar se udhëheqësi ukrainas nuk është i gatshëm të bëjë marrëveshje me Moskën. “Ai thotë se po, por në realitet nuk po”, shtoi Trump.
Këto komente erdhën pas një sulmi me dronë ukrainas ndaj një rafinerie në rajonin rus të Ryazanit. Ai ishte sulmi i parë ndaj një objekti energjetik rus pas njoftimit të Trump për armëpushim energjetik mes Moskës dhe Kievit.
Të enjten, më 15 tetor, Zelensky njoftoi se Ukraina do të rifillonte sulmet ndaj rafinerive ruse, pavarësisht armëpushimit energjetik të shpallur nga Trump. Ai i kërkoi presidentit amerikan të mos rreshtohej me Rusinë, të cilën Kievi e sheh si agresore në luftë.
Reagimet e kundërta pasqyrojnë mospajtimet mes Uashingtonit dhe Kievit për strategjinë ushtarake ukrainase, goditjet ndaj infrastrukturës energjetike ruse dhe kushtet e një marrëveshjeje paqeje.
Negociatat për përfundimin e luftës vazhdojnë, por ende nuk dihet nëse palët do të bien dakord për një armëpushim të qëndrueshëm.






