Rreth 1,000 raste të reja të kancerit të gjirit diagnostikohen çdo vit në Maqedoninë e Veriut. Gjatë muajit të ndërgjegjësimit për këtë sëmundje, ministri i Shëndetësisë Sasho Klekovski tha se programet e skriningut arrijnë vetëm 5 deri në 15 për qind të grave, ndërsa standardi evropian është 70 për qind.
Të lidhura
None found
“Pjesëmarrja në programet e skriningut varion nga 5 deri në 15 për qind, kurse standardi është 70 për qind. Për rrjedhojë, nuk mund të themi se kemi një program efikas. Vështirësitë janë të shumta, si në aspektin institucional, ashtu edhe në atë financiar. Në parim, nuk jemi të kënaqur me mënyrën si është zbatuar skriningu deri tani. Para se të nisim ripërcaktimin e programit, kemi filluar rinovimin e aparateve mamografike dhe mamografive”, u shpreh ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.
Përveç mbulimit të ulët nga skriningu, vështirësi paraqesin edhe kapacitetet për PET-skanime. Për këtë vit ishte planifikuar kryerja e 6,000 ekzaminimeve të tilla, por deri tani shifra mbetet dukshëm nën parashikimin.
Klekovski bëri të ditur se numri i skanimeve është rritur nga 2,200 në tre vitet e fundit, në 2,600 vitin e kaluar. Ai tha se po kërkohen zgjidhje të tjera dhe po përgatitet një paketë më e gjerë, ku përfshihet digjitalizimi dhe ndërlidhja e pajisjeve kryesore, si tomografitë kompjuterike dhe rezonancat magnetike, në një sistem të koordinuar. Synimi, sipas tij, është përdorimi më produktiv i kapaciteteve ekzistuese.
Aktualisht, në vend 7,000 gra dhe vajza po përballen me kancerin e gjirit. Sipas statistikave, sëmundja prek një në tetë gra, ose 12 për qind. Diagnostikimi i hershëm rrit gjasat për trajtim të suksesshëm dhe mund të shpëtojë jetë. / Alsat.mk







