Protestat kundër qeverisë së Edi Ramës kanë marrë një drejtim më të ashpër, ndërsa në Tiranë janë shtuar përplasjet dhe kërkesat për dorëheqjen e kryeministrit shqiptar.
Të lidhura
None found
Pas disa muajsh mobilizimi, reagimi i studentëve dhe qytetarëve po ngre diskutime mbi mundësinë që kjo pakënaqësi të sjellë një ndryshim të rëndësishëm në skenën politike të vendit.
Përballjet me policinë dhe përshkallëzimi i situatës kanë shtuar shqetësimin mbi mënyrën e reagimit të qeverisë ndaj protestuesve. Tashmë pritet të shihet nëse kjo valë protestash do të ketë pasoja konkrete për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste.
Publicisti shqiptar Skënder Kapiti, në një prononcim për “Bota sot”, kritikoi qeverisjen e Ramës dhe trajtimin që, sipas tij, u është bërë protestuesve.
Kapiti tha se të rinjtë shqiptarë kishin protestuar në mënyrë paqësore për një periudhë të gjatë, por sjellja arrogante e pushtetit dhe ndërhyrjet e policisë e shtynë reagimin qytetar drejt një forme më të ashpër.

Sipas tij, rinia patriotike shqiptare kishte protestuar prej 135 ditësh me qytetari dhe kulturë demokratike, duke kundërshtuar një regjim të korruptuar dhe një qeveri ku pothuajse më shumë se gjysma e ministrave, zëvendësministrave e drejtorëve, si edhe disa kryetarë bashkish, përfshirë kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, po hetohen, janë arrestuar ose pritet të arrestohen për vjedhje të parave publike.
Publicisti deklaroi se protestuesit u përballën me arrogancë, fyerje dhe akuza, ndërsa kundër tyre, sipas tij, u pozicionua pjesa më e madhe e mediave, gazetave dhe televizioneve. Ai shtoi se provokimi i studentëve nga policia dhe tejkalimi i kompetencave prej saj i detyruan protestuesit të reagonin më ashpër.
Kapiti e lidhi refuzimin e Edi Ramës për të dhënë dorëheqjen me frikën e përballjes me drejtësinë pasi të largohet nga pushteti.
Ai theksoi se qëndrimi i kryeministrit është një prej faktorëve kryesorë që ka zgjatur protestat dhe ka mbajtur gjallë tensionet e krijuara në Tiranë.
“Mosdorëheqja e kryeministrit tregon frikën e tij se, pas përfundimit të mandatit në postin e kryeministrit, do të duhet të përballet me drejtësinë”, u shpreh publicisti.
Sipas Kapitit, këmbëngulja e Ramës ka shkaktuar lodhje dhe vuajtje te protestuesit, si edhe dëme materiale e plagë gjatë përplasjeve.
Në përfundim, Skënder Kapiti paralajmëroi se pasojat e kësaj situate nuk do të rëndojnë vetëm mbi Edi Ramën, por edhe mbi Partinë Socialiste.
Ai argumentoi se socialistët do të mbajnë përgjegjësi politike për mbështetjen ndaj qeverisjes aktuale, duke e krahasuar këtë situatë me përgjegjësinë që mbajti dikur ish-Partia Komuniste.
“Partia Socialiste do të përballet me pasojat e kësaj keqqeverisjeje dhe do të japë llogari politikisht për mbështetjen e verbër ndaj qeverisë së saj, ashtu siç ndodhi dikur me ish-Partinë Komuniste”, përfundoi Skënder Kapiti për “Bota sot”.





