Në katër pika të Tetovës janë instaluar semaforë të pajisur me sinjalizim zanor, që synojnë të rrisin sigurinë dhe të lehtësojnë lëvizjen e personave të verbër.
Të lidhura
None found
Instalimet e reja u prezantuan nga kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, në bashkëpunim me përfaqësuesit e Shoqatës së Personave të Verbër, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Shkopit të Bardhë.
Përmes një njoftimi në Facebook, Kasami bëri të ditur se pajisjet do t’u ndihmojnë personave me dëmtime në shikim të kalojnë rrugët në kushte më të sigurta dhe me më shumë pavarësi.
Si pjesë e masave për përmirësimin e qasjes, janë ulur edhe trotuaret për personat me nevoja të veçanta, duke ua bërë më të lehtë qarkullimin dhe lëvizjen e pavarur.
“Vazhdojmë të ndërtojmë një Tetovë pa barriera, me mundësi të barabarta dhe siguri për të gjithë qytetarët!”, shkroi Kasami.
Sinjalizimi zanor në semaforë dhe përshtatja e trotuareve synojnë krijimin e një hapësire publike më të qasshme dhe më të sigurt për të gjithë qytetarët.





