Getafe synon dy përforcime të tjera, në bisedime me Sancho-n dhe Parejon

Getafe po shqyrton mundësinë për të afruar Jadon Sanchon dhe Dani Parejon, ndërsa presidenti i klubit, Angel Torres, ka konfirmuar se negociatat me anglezin tashmë kanë nisur.

Të lidhura

None found

Duke folur për “Movistar Plus”, Torres deklaroi se ditët e ardhshme do të jenë vendimtare për të mësuar nëse marrëveshja do të arrihet me njërin apo me të dy futbollistët.

“Ende nuk kemi gjetur zëvendësuesin për boshllëkun e lënë nga dëmtimi i Uches. Jemi në kontakt me Sanchon, siç kemi qenë edhe tre ose katër muaj më parë. Edhe Parejo është një mundësi”, u shpreh presidenti i Getafes.

Sipas Torresit, gjatë javës së ardhshme do të kuptohet nëse bisedimet do të mbyllen me rezultat pozitiv.

Klubi madrilen ka përfunduar tashmë transferimin dhe regjistrimin e Dani Carvajalit, por dëshiron të shtojë në skuadër edhe dy emra të tjerë. Situata financiare dhe kufizimet e faturës së pagave mbeten problemet kryesore, sidomos për afrimin e Sanchos, i cili pritet të kushtojë më shumë se Parejo.

Parejo, për shkak të moshës, shihet si një opsion më i favorshëm për buxhetin e klubit. Në këtë situatë, Torres mund të jetë i detyruar të përfshihet drejtpërdrejt për t’i dhënë shtysë realizimit të transferimeve.

Trajneri José Bordalás do ta mirëpriste veçanërisht ardhjen e Sanchos, pasi kërkon një lojtar krahu që t’i ofrojë skuadrës më shumë mundësi në sulm. Megjithatë, shpenzimet që lidhen me transferimin e futbollistit anglez vazhdojnë të përbëjnë një pengesë të madhe.

Vendimet për përforcimet e radhës të Getafes pritet të merren gjatë javës së ardhshme, e cila do të jetë përcaktuese për merkaton e klubit.


Shtuar më 15.10.2026 19:33