Kylian Mbappe është thirrur nga autoritetet franceze për t’u marrë në pyetje në kuadër të një hetimi për korrupsion, i cili lidhet me pagesa të dyshimta dhe favore të mundshme ndaj ish-përgjegjësit të sigurisë së Kombëtares së Francës.
Të lidhura
None found
Çështja ka në qendër Mohamed Sanhadjin, 57 vjeç, i cili për mbi dy dekada drejtoi sigurinë e “Gjelave” dhe ndërtoi marrëdhënie të afërta me lojtarët e përfaqësueses franceze.
Sanhadji u akuzua zyrtarisht më 16 shtator për korrupsion dhe vepra të tjera të dyshuara. “L’Equipe” raportoi se Mbappe u mor në pyetje në Paris më 30 shtator, në lidhje me hetimin.
Një prej transaksioneve që po shqyrtohet nga autoritetet është transferimi i 60 mijë e 300 eurove, të kryer nga Mbappe në favor të Sanhadjit në qershor të vitit 2023. Dyshohet se kjo shumë lidhej me bonusin e marrë nga futbollisti pas Kampionatit Botëror në Katar.
Bashkëpunëtorët e Mbappes kanë deklaruar se pagesa ishte një shenjë mirënjohjeje për pjesëtarët e sigurisë. Sipas tyre, nga këto para kishin përfituar edhe katër zyrtarë të tjerë. Megjithatë, raportimet bëjnë me dije se Sanhadji nuk e kishte informuar eprorin për këtë pagesë.
Pak javë pas transferimit, ish-zyrtari i policisë e shoqëroi Mbappen gjatë një udhëtimi në Kamerun. Hetuesit po verifikojnë nëse Sanhadji i kishte ofruar sulmuesit shërbime private sigurie dhe nëse pagesa ishte kryer për këtë qëllim.
Në hetim është përfshirë edhe Fayza Lamari, nëna e sulmuesit të Real Madridit. Sipas të dhënave të raportuara, gjatë vitit 2024 Mbappe i kishte dhënë Sanhadjit një hua prej 120 mijë eurosh, nëpërmjet nënës së tij.
Lamari dyshohet gjithashtu se i kishte kërkuar Sanhadjit asistencë për katër aplikime për viza, të bëra për persona nga rrethi i saj. Ajo u mor në pyetje më 9 tetor nga tre gjyqtarë hetues për këtë çështje.
Dosja përfshin edhe disa emra të njohur të futbollit. Ish-sulmuesi i Bayern Munichut, Franck Ribery, dyshohet se kishte financuar udhëtimin e Sanhadjit drejt Sicilisë, ndërsa Raphael Varane dhe Laurent Blanc raportohet se i kishin dhënë hua.
Në total, autoritetet dyshojnë se Sanhadji ka marrë mbi 300 mijë euro nga futbollistë të ndryshëm. Hetimi synon të përcaktojë nëse këto pagesa ishin të lidhura me ofrimin e favoreve të paligjshme.
Hetuesit duhet të vlerësojnë nëse transaksionet dhe marrëdhëniet e përmendura përbëjnë shkelje të ligjit. Ndërkohë, ndaj të gjithë personave të përfshirë zbatohet prezumimi i pafajësisë.





