Prokuroria kërkon paraburgimin e 20-vjeçarit nga Reçica e Madhe, i dyshuar për krime kibernetike në Tetovë

Prokuroria Themelore Publike në Tetovë ka nisur procedurë hetimore ndaj një 20-vjeçari nga fshati Reçicë e Madhe, i dyshuar për disa vepra penale që lidhen me krimin kompjuterik.

Të lidhura

None found

Sipas PTHP-së, gjatë një hetimi paraprak disamujor, të zhvilluar nën koordinimin e një prokurori publik, janë siguruar prova që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se i riu ka kryer veprën penale “Mashtrim Kompjuterik”, të paraparë në nenin 251-b të Kodit Penal. Dyshohet se gjatë periudhës 2025-2026 ai ka administruar një grup të paligjshëm në aplikacionin e komunikimit “Telegram”, ku ofroheshin shërbime dhe programe softuerike për mashtrime që kishin të bënin me kthimin e paligjshëm të fondeve.

20-vjeçari dyshohet gjithashtu për veprën “Keqpërdorim të të Dhënave Personale”, sipas nenit 149. Kjo vepër, sipas hetimeve, është kryer përmes administrimit të domeneve dhe faqeve të internetit të lidhura me platformën “OLVX”. Platforma funksiononte si treg i paligjshëm për shitjen e të dhënave dixhitale të vjedhura, mjeteve softuerike dhe shërbimeve që mundësonin kryerjen e veprave penale.

Përdoruesit kryesorë të “OLVX” ishin kriminelë kibernetikë, të cilët tregtonin të dhëna personale dhe kredenciale për qasje në llogari përdoruesish. Gjatë kohës që platforma ishte aktive, viktimave, individëve dhe personave juridikë iu ofruan mbi 1.500 të dhëna të vjedhura aksesi.

Pas një urdhri kontrolli të lëshuar nga gjykata me kërkesë të prokurorit publik, autoritetet kontrolluan banesën e të dyshuarit dhe sekuestruan dy telefona celularë. Në një dosje të fshehur në njërin prej pajisjeve u gjetën gjithsej 29 video me përmbajtje eksplicite të akteve seksuale mes të rriturve dhe fëmijëve.

Për këtë arsye, i riu dyshohet edhe për veprën penale “Prodhim dhe shpërndarje të pornografisë së fëmijëve”, të përcaktuar në nenin 193-a të Kodit Penal.

Duke vlerësuar se ekziston rrezik i qartë arratisjeje, ndërsa i dyshuari përballet me akuza për disa vepra penale dhe mund të vijojë aktivitetin kriminal, prokurori publik i ka kërkuar gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore në Tetovë caktimin e masës së paraburgimit, njofton PTHP./Telegrafi/


Shtuar më 15.10.2026 16:12