Marrëdhëniet dypalëshe, rrugëtimi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe zgjerimi i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve ishin temat e takimit të Bekim Salit, Zëvendëskryeministër i Parë dhe ministër për Çështje Evropiane, me ambasadorin e Malit të Zi.
Të lidhura
None found
Duke vlerësuar ecurinë e negociatave të Malit të Zi për anëtarësim, Sali shprehu përgëzime dhe përsëriti se Maqedonia e Veriut mbështet synimin e këtij vendi për të qenë anëtari i ardhshëm i Bashkimit Evropian. Sipas tij, arritjet e Malit të Zi i japin zemër rajonit dhe përforcojnë besueshmërinë e politikës së zgjerimit.
Pjesë e bisedimeve ishte edhe shtimi i shkëmbimeve të ekspertizës, mbi bazën e Marrëveshjes për bashkëpunim në kontekstin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, të nënshkruar në vitin 2012. Interesi për bashkëpunim përqendrohet te bashkërendimi i negociatave, përshtatja me legjislacionin evropian, reformimi i administratës publike dhe administrimi i fondeve evropiane.
Në vijim, ministri paraqiti përparësitë e Maqedonisë së Veriut në zbatimin e Agjendës së Reformave dhe të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Ai veçoi rezultatet konkrete që këto duhet të sjellin për qytetarët dhe bizneset.
Për Salin, ecja drejt synimit të përbashkët të anëtarësimit në Bashkimin Evropian kërkon bashkëpunim rajonal dhe një proces të drejtë e të parashikueshëm, ku vlerësimi mbështetet në merita.






