Qeveria pritet të vendosë një sistem të ri për vlerësimin e studimeve të fizibilitetit, si dhe për procedurat që lidhen me dhënien, ndryshimin dhe transferimin e kontratave koncesionare dhe të partneriteteve publike-private (PPP).
Kuadri i mëparshëm, i përcaktuar me vendimin e vitit 2013, do të shfuqizohet.
Të lidhura
None found
Sipas draftvendimit të Këshillit të Ministrave, të miratuar këtë të mërkurë, Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve dhe Partneritetit Publik Privat do të ketë një afat prej tre muajsh nga hyrja në fuqi e aktit për të përgatitur dokumentet standarde për koncesionet dhe PPP-të. Pas hartimit, këto dokumente do t’i përcillen Agjencisë së Prokurimit Publik për publikim.
Agjencisë do t’i besohet edhe hartimi i udhëzimeve dhe manualeve shpjeguese për procedurat përkatëse. Përdorimi i tyre do të jetë i detyrueshëm për çdo autoritet ose ent kontraktor që angazhohet në zhvillimin e procedurave të koncesioneve dhe partneriteteve publike-private.
Drafti përcakton se Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve dhe Partneritetit Publik Privat do të hartojë udhëzime dhe manuale shpjeguese për procedurat e koncesioneve dhe PPP-ve, të cilat do të përdoren detyrimisht nga çdo autoritet ose ent kontraktor gjatë ushtrimit të këtyre veprimtarive.
Vendimi mbështetet në ligjin nr. 88/2025, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, ndërsa propozimi është paraqitur nga ministri i Ekonomisë dhe Inovacionit.
Në pikën 4 të draftit parashikohet anulimi i vendimit nr. 575, datë 10 korrik 2013, “Për miratimin e rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/partneritet publik privat”, me ndryshimet përkatëse.
Akti i ri do të marrë fuqi pas publikimit në “Fletoren zyrtare”. Për zbatimin e tij do të angazhohen të gjitha institucionet qendrore dhe vendore.






