Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës, i ka dorëzuar Komisionit për Legjislacion tri propozime që kërkon të përfshihen në agjendën e punës së këtij komisioni parlamentar.
Të lidhura
None found
Njëra prej nismave parashikon mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve për Gjykatën Komerciale dhe Gjykatën Administrative. Sipas propozimit, ky proces do të shërbente për të analizuar rezultatet, vështirësitë dhe ndikimin e këtyre gjykatave në rritjen e efikasitetit të sistemit të drejtësisë.
Nisma e dytë fokusohet te hartimi i Ligjit për Deputetët. Ky ligj do të përcaktonte në mënyrë më të qartë të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë e deputetëve, së bashku me statusin dhe përfitimet e tyre gjatë ushtrimit të mandatit dhe pas përfundimit të tij.
Propozimi i tretë lidhet me vlerësimin e mundësisë për krijimin e një gjykate të specializuar për luftën kundër korrupsionit. Tahiri ka kërkuar që në kuadër të shqyrtimit të kësaj ideje të zhvillohet një vizitë studimore në SPAK dhe në Kuvendin e Shqipërisë, për të parë nga afër përvojën e këtij vendi, mënyrën e themelimit të institucionit, sfidat e hasura dhe mundësitë që mund të ofrojë ky model.
Përmes një postimi në Facebook, Tahiri ka vlerësuar se këto tri çështje janë të rëndësishme për forcimin e sundimit të ligjit, përmirësimin e funksionimit të drejtësisë dhe avancimin e integritetit dhe llogaridhënies së institucioneve.






