Media gjermane BILD ka raportuar për protestat e zhvilluara së fundmi në Shqipëri, duke u ndalur te rritja e tensioneve në Tiranë, përplasjet me policinë dhe pakënaqësitë ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Në shkrimin e gazetarit Marc Oliver Ruehle thuhet se kryeqyteti shqiptar është përfshirë nga protesta të dhunshme, gjatë të cilave janë dëmtuar ndërtesa, janë ndezur zjarre dhe policia ka përdorur gaz lotsjellës e ujë me presion.
Të lidhura
None found
Sipas BILD, qindra studentë dhe qytetarë kanë protestuar kundër kushteve në universitete dhe tarifave të studimit, ndërsa kanë kërkuar edhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Raportimi përshkruan përshkallëzimin e situatës, me demonstrues që kanë hedhur gurë dhe mjete ndezëse. Në disa ndërtesa janë vërejtur zjarre.
Protestuesit, sipas artikullit, kanë thyer xhamat e Ministrisë së Arsimit dhe kanë hedhur flakadanë në oborrin e saj. Më pas, nga një dritare ka dalë tym i dendur dhe zjarrfikësit kanë mbërritur për të shuar flakët.
BILD përmend gjithashtu dëmtimin e një filiali banke, djegien e dokumenteve dhe një zjarr në një ndërtesë që, sipas raportimit, dukej e pabanuar.
Shkrimi sjell në vëmendje edhe ngjarjet e së martës, kur protestuesit hynë në godinën e Bashkisë së Tiranës, ku pati dëmtime dhe zjarrvënie.
Të dhënat e policisë të cituara nga media gjermane bëjnë të ditur se pas incidenteve u arrestuan 16 persona.
Artikulli përfshin edhe shifra për personat që morën ndihmë mjekësore gjatë përplasjeve. Mes tyre kishte policë, protestues, gazetarë dhe kalimtarë.
BILD pasqyron edhe qëndrimin e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, i cili ka shprehur shqetësim për dhunën në rritje dhe u ka kërkuar palëve të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm.
Bashkimi Evropian ka kërkuar gjithashtu që të hetohen pretendimet për përdorim të tepruar të forcës nga policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve.
Këto zhvillime marrin peshë edhe për shkak të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, e cila vijon negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Media gjermane ndalet edhe te protestat e quajtura “Protestat e Flamingove”, të cilat kundërshtojnë ndërtimin e një resorti luksoz në një zonë bregdetare të mbrojtur për vlerat e saj natyrore.
Projekti lidhet me Ivanka Trump, vajzën e presidentit amerikan Donald Trump, dhe bashkëshortin e saj, Jared Kushner. Planet kanë ngjallur debat për pasojat mjedisore, transparencën dhe dyshimet për konflikt interesi.
Sipas BILD, kundërshtimi i projektit turistik tashmë është ndërthurur me revoltën studentore, ku shqetësimet kryesore lidhen me shpenzimet e arsimit dhe kushtet universitare.
Protestat për çështje sociale e mjedisore po shfaqen kështu si pjesë e një pakënaqësie më të gjerë ndaj qeverisë shqiptare. Në tubimet e fundit në kryeqytet janë dëgjuar gjithashtu thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Rama.






