Shiroka-Pula: Anëtarësimi në NATO vijon të jetë objektivi ynë strategjik

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ishte sot e pranishme në ceremoninë e ndërrimit të komandës së KFOR-it.

Gjatë fjalës së saj, ajo e cilësoi këtë ceremoni si një moment të rëndësishëm për një mision që prej më shumë se 27 vjetësh ka dhënë kontribut të veçantë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë.

Të lidhura

None found

“Një pjesë e rëndësishme e historisë së Kosovës është e lidhur me partneritetin me aleatët tanë. Që nga viti 1999, KFOR-i ka qenë pjesë e këtij rrugëtimi. Sot, ndërsa institucionet tona të sigurisë po zgjerojnë kapacitetet dhe përgjegjësitë e tyre, ky partneritet vazhdon të jetë thelbësor për stabilitetin e vendit dhe për perspektivën tonë euroatlantike”, deklaroi Presidentja Shiroka-Pula.

Presidentja tha se, falë mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë, Kosova ka krijuar dhe forcuar institucionet e sigurisë. Sipas saj, këto struktura tashmë kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për përballimin e sfidave të sigurisë dhe mbrojtjen e qytetarëve.

Ajo vlerësoi se ky progres është dëshmi e rezultateve konkrete të bashkëpunimit me aleatët.

“Institucionet e Kosovës kanë bërë përparim në profesionalizëm, kapacitete dhe përgjegjësi, duke ruajtur në të njëjtën kohë bashkëpunimin e ngushtë me KFOR-in dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë. KFOR-i mbetet një komponent me rëndësi të veçantë në arkitekturën tonë të sigurisë. Prania e tij, mandati dhe bashkëpunimi me institucionet vendore ndikojnë në sigurinë e përgjithshme dhe në besimin e qytetarëve”, theksoi Shiroka-Pula.

Presidentja e Republikës së Kosovës shprehu mirënjohje të thellë për të gjithë ushtarakët dhe pjesëtarët e shteteve kontribuuese që kanë shërbyer në KFOR që prej vitit 1999. Ajo kujtoi se shumë prej tyre kanë qëndruar për periudha të gjata larg familjeve, duke kryer detyrën në Kosovë me përkushtim dhe përgjegjësi.

Kontributi i tyre, shtoi ajo, është pjesë e historisë së përbashkët dhe do të vazhdojë të vlerësohet nga qytetarët e Kosovës.

“Synimi ynë strategjik për anëtarësim në NATO mbetet i qartë. Ne duam që një ditë Kosova të mos jetë vetëm përfituese e sigurisë, por edhe kontribuuese e drejtpërdrejtë në të. Synojmë të qëndrojmë përkrah aleatëve tanë dhe të marrim pjesë në përpjekjet e përbashkëta për paqe e siguri, përfshirë misionet ndërkombëtare, në përputhje me statusin dhe detyrimet tona si anëtare e NATO-s në të ardhmen”, u shpreh Presidentja Shiroka-Pula.

Ajo nënvizoi se ndërrimi i komandës krijon mundësinë për të konfirmuar edhe një herë vazhdimësinë e marrëdhënies së partneritetit mes Kosovës dhe KFOR-it.

“Gjeneralmajor Ulutaş, ju shpreh edhe një herë falënderimet për shërbimin dhe bashkëpunimin tuaj! Gjeneralmajor Vergori, ju uroj suksese në detyrën e re dhe ju siguroj se jemi të gatshëm të vijojmë bashkëpunimin e ngushtë me ju dhe me të gjithë pjesëtarët e KFOR-it!”, theksoi Shiroka-Pula.

Presidentja e përmbylli fjalën e saj duke falënderuar KFOR-in për shërbimin dhe kontributin e përditshëm në garantimin e paqes dhe sigurisë në Kosovë.


Shtuar më 14.10.2026 18:46