Gjatë pjesëmarrjes në Samitin Digjital të Ballkanit Perëndimor, që po zhvillohet në Herceg Novi të Malit të Zi, ministri Lulëzon Jagxhiu u takua me drejtoreshën e Sekretariatit të CEFTA-s, Pranvera Kastrati, dhe anëtarët e ekipit të saj.
Takimi kishte në qendër thellimin e bashkëpunimit për zbatimin e Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal (CRM), veçanërisht në fushën e ekonomisë digjitale.
Të lidhura
None found
Një nga temat kryesore ishte shkëmbimi elektronik i të dhënave mes doganave dhe autoriteteve kufitare të vendeve të rajonit dhe Bashkimit Evropian përmes sistemit SEED+. Po ashtu, u diskutua mundësia e përfshirjes së shërbimeve të besuara të Kosovës në listën evropiane të shërbimeve të besuara të vendeve të treta, si dhe politikat dhe kuadri rregullativ për tregtinë elektronike.
Jagxhiu bëri të ditur përmes një postimi në Facebook se gjatë takimit u trajtuan edhe zhvillimet e fundit në Kosovë, përfshirë ratifikimin e marrëveshjes për projektin e Lehtësimit të Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor (TTFP 2.0), i financuar nga Banka Botërore.
Projekti parashikon krijimin e Dritares së Vetme Kombëtare (National Single Window) dhe zbatimin e Sistemit të Ri të Kompjuterizuar të Transitit (NCTS). Sipas Jagxhiut, këto mekanizma do të ndihmojnë në digjitalizimin dhe thjeshtimin e procedurave tregtare e doganore, ndërsa do të rrisin edhe ndërveprueshmërinë me sistemet rajonale dhe evropiane.
Ministri theksoi se bashkëpunimi në këto fusha është i rëndësishëm për lehtësimin e tregtisë, reduktimin e barrës administrative për bizneset dhe ndërtimin e një tregu rajonal më të integruar, në përafrim me Tregun e Vetëm të BE-së.
Ai deklaroi se angazhimi do të vijojë për avancimin e këtyre proceseve, forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe përafrimin e mëtejshëm të Kosovës me standardet dhe praktikat evropiane në fushën e transformimit digjital.





