Bekim Sylejmani është paraqitur para Gjykatës Themelore në Prishtinë, pasi në Facebook kishte publikuar mesazhin: “Mas more se ajo që e shet venin pak esht plumbi per te, rnoft Albini me popullin”.
Të lidhura
None found
Në seancën fillestare të mbajtur të mërkurën, ai nuk e pranoi akuzën për kanosje ndaj ish-Presidentes Vjosa Osmani.
Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Besart Mustafa, Sylejmani u shpreh shkurt: “Nuk e pranoj fajësinë”.
Gjyqtari Bujar Ahmeti e informoi të akuzuarin se, në këtë rast, pjesëmarrja e avokatit nuk është e detyrueshme. Sylejmani vendosi ta ndjekë procesin gjyqësor pa mbrojtës.
Artan Qerkini, avokati që përfaqëson të dëmtuarën Vjosa Osmani, deklaroi se i bashkohet ndjekjes penale ndaj të akuzuarit.
Lidhur me kërkesën pasurore-juridike, Qerkini bëri të ditur se nuk do të kërkojnë dëmshpërblim, duke marrë parasysh gjendjen e vështirë materiale të Sylejmanit.
Gjykata e njoftoi të akuzuarin se, pas deklarimit të pafajësisë, ka 30 ditë kohë për të paraqitur kundërshtimet ndaj provave dhe kërkesën për hudhjen e aktakuzës.





