Qeveria ndan 275 mijë euro për rinovimin e banesave në Mitrovicën e Veriut dhe Zveçan

Komunitetet joshumicë në Mitrovicën e Veriut dhe në Zveçan do të përfitojnë nga një fond prej qindra mijëra eurosh për përmirësimin e kushteve të banimit.

Të lidhura

None found

Me kërkesë të ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, Qeveria e Kosovës ka miratuar ndarjen e 275 mijë eurove për renovimin e disa shtëpive dhe njësive të banimit në këto dy komuna.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë, Krasniqi deklaroi se vendimi është marrë pas kërkesave të paraqitura nga përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë, si dhe verifikimeve të kryera në terren.

Vlerësimet kanë treguar se disa familje jetojnë në kushte të papërshtatshme dhe kanë nevojë për ndihmë financiare për të rinovuar banesat e tyre, bëri të ditur ministri.

Sipas Krasniqit, ndërhyrjet do të shërbejnë për krijimin e kushteve më të mira dhe më të qëndrueshme të jetesës për banorët që kanë kërkuar mbështetje.

Ndarja e këtyre mjeteve është pjesë e masave për përmirësimin e kushteve të jetesës së komuniteteve joshumicë në veri të vendit.


Shtuar më 14.10.2026 13:13