Administrata amerikane është urdhëruar nga një gjykatë federale që t’u rihapë gazetarëve të CNN, MS NOW dhe Politico dyert e Shtëpisë së Bardhë, ndërkohë që padia e ngritur nga këto tri organizata mediatike kundër administratës së Donald Trump vijon të shqyrtohet.
Të lidhura
None found
Më 24 shtator, gjykatësi federal Timothy Kelly, i emëruar nga Trump, kishte miratuar një masë të përkohshme që e detyronte Shtëpinë e Bardhë t’u kthente kredencialet gazetarëve të tri mediave për një periudhë 14-ditore. Javën e kaluar, afati u shty deri më 13 tetor, ndërsa urdhri më i ri e mban aksesin në fuqi deri në përfundim të çështjes gjyqësore.
Ky vendim përfaqëson një fitore të përkohshme për mediat, të cilat pretendojnë se u përjashtuan si hakmarrje për raportimet e tyre dhe për shkak të qëndrimeve kritike ndaj presidentit amerikan.
Sidoqoftë, vendimi nuk u garanton gazetarëve hyrje në të gjitha hapësirat e ndjeshme, si Zyra Ovale apo avioni presidencial Air Force One. Shtëpia e Bardhë vazhdon t’u ndalojë gazetarëve të CNN dhe Politico që të jenë pjesë e trupave të shtypit që udhëtojnë me presidentin në avionin presidencial.
Në padi, CNN, MS NOW dhe Politico argumentojnë se administrata u ka shkelur të drejtat kushtetuese, sepse i ka përjashtuar pa një proces të rregullt ligjor dhe për shkak të raportimeve të tyre. Sipas mediave, kjo përplasje bie ndesh me Amendamentin e Parë, i cili mbron lirinë e shprehjes dhe të shtypit, si dhe me Amendamentin e Pestë.
Masat e përkohshme të gjykatës tregojnë se gjyqtari i vlerëson si të mbështetura pretendimet e paditësve në lidhje me Amendamentin e Pestë. Nga ana tjetër, çështja e shkeljes së Amendamentit të Parë do të kërkojë shqyrtim shtesë dhe mund të çojë në një proces gjyqësor.
Avokatët e mediave kanë sjellë në vëmendje edhe një precedent të vitit 1977, çështjen Sherrill kundër Knight, që lidhet me kufizimet mbi kredencialet e gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë. Ata kanë cituar gjithashtu deklarata të Trump, i cili ka akuzuar disa media se publikojnë me qëllim lajme negative për të dëmtuar republikanët dhe administratën e tij.
Ndërkohë, trupa më e gjerë e shtypit të Shtëpisë së Bardhë ka shprehur solidaritet me mediat e përjashtuara. Sipas raportimeve, disa organizata kanë refuzuar kërkesën e Shtëpisë së Bardhë për të marrë vendet e CNN dhe Politico, ndërsa të tjera kanë njoftuar se nuk do të publikojnë ose shpërndajnë fotografi të realizuara gjatë mbulimit zyrtar të aktiviteteve presidenciale, derisa gjykata të shqyrtojë pretendimet ligjore të mediave.
Një padi më vete e ngritur nga Associated Press kundër Shtëpisë së Bardhë, ende në shqyrtim, mund të ndihmojë për të përcaktuar kufijtë e autoritetit të presidentit për të kufizuar aksesin e gazetarëve në ambiente të tilla.






