Iran, 23-vjeçarja dënohet me vdekje për blasfemi për shkak të një postimi në rrjetet sociale

Një studente 23-vjeçare është dënuar me vdekje në Iran, pasi akuzohet se ofendoi Profetin Muhamed në një postim në rrjetet sociale.

Të lidhura

None found

Rasti i Najmeh Amini ka ngjallur shqetësim të thellë te organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, të cilat paralajmërojnë se dënimi kapital po kthehet gjithnjë e më shumë në një instrument për të mbytur zërat kritikë dhe kundërshtarët politikë të regjimit.

Amini, e cila studion kontabilitet, ndodhet në burgun Vakilabad në qytetin Mashhad, në verilindje të vendit. Përveç dënimit me vdekje, në një gjyq tjetër asaj i janë dhënë 12 vjet, gjashtë muaj dhe një ditë burg për vepra penale që lidhen me sigurinë kombëtare dhe shpërndarjen e propagandës kundër regjimit.

Sipas një burimi pranë familjes së saj, të cituar nga organizata Aktivistët e të Drejtave të Njeriut në Iran (HRAI), 23-vjeçarja u shpall fajtore për veprën penale “sab ol-nabi”, që ka të bëjë me fyerjen e Profetit Muhamed.

Sipas nenit 262 të Kodit Penal Islamik të Iranit, fyerja e Profetit Muhamed dënohet me vdekje. Ndërsa neni 263 parasheh disa përjashtime, si rastet kur deklaratat bëhen pa qëllim ofendimi ose nën ndikimin e alkoolit, edhe pse në situata të veçanta mund të parashikohen dënime të tjera.

Amini u arrestua nga forcat e sigurisë gjatë protestave masive antiqeveritare të muajit janar, të cilat u shtypën me dhunë. Mediat ndërkombëtare bëjnë me dije se mijëra vetë u vranë gjatë trazirave, ndërsa agjencia e lajmeve Hrana, e lidhur me HRAI, raportoi më shumë se 50 mijë arrestime.

Organizatat e të drejtave të njeriut kanë ngritur gjithashtu shqetësimin për numrin e lartë të ekzekutimeve në Iran. Sipas Organizatës për të Drejtat e Njeriut në Iran (IHRNGO), me seli në Oslo, që nga fillimi i këtij viti në vend janë ekzekutuar më shumë se 600 persona.

Muajin e kaluar, përmes një mesazhi zanor të publikuar nga burgu, Amini kërkoi që organizatat ndërkombëtare, Kombet e Bashkuara dhe avokatët të ndërhynin për të ndjekur çështjen e saj.

“Nuk dua ta paraqes veten si heroinë sot. Dua vetëm një gjë: të jesh zëri im”, u shpreh ajo.

“Unë jam një vajzë e re e pafajshme, me kaq shumë shpresa dhe ëndrra. Kam prindër që më presin. Një familje që rri zgjuar çdo natë me frikën se mos më humbasë”, shtoi 23-vjeçarja.

Drejtori i IHRNGO-së, Mahmoud Amiri-Moghaddam, e cilësoi rastin veçanërisht shqetësues dhe paralajmëroi se një dënim me vdekje për një postim në rrjete sociale mund të krijojë një precedent të rrezikshëm.

Sipas tij, një vendim i tillë rrezikon të normalizojë përdorimin e dënimit me vdekje ndaj shprehjes paqësore dhe të shtojë rastet kur ai jepet.

Amiri-Moghaddam shtoi se autoritetet iraniane po provojnë kufijtë e reagimit të bashkësisë ndërkombëtare ndaj dënimit me vdekje. Ai paralajmëroi se mungesa e një përgjigjeje të vendosur mund të çojë në përsëritjen më të shpeshtë të rasteve të ngjashme.

Sipas gazetës iraniane “Khorasan”, gjatë gjyqit Amini u shpreh se komentet që çuan në dënimin e saj ishin publikuar pasi kishte konsumuar kërpudha halucinogjene me miqtë. Mbrojtja pretendoi se ishte fjalë për një shprehje të paqëllimshme dhe kërkoi që gjykata të merrte parasysh gjendjen e saj në atë moment.

Megjithatë, gjyqtari hodhi poshtë argumentin e mbrojtjes dhe, sipas raportimit të gazetës, e pyeti: “Pse, në të njëjtën gjendje iluzioni, nuk fyeve figura të tjera ose kundërshtarë të regjimit, si Amerika dhe Izraeli?”

Dënimi me vdekje ndaj 23-vjeçares nuk ka marrë formë të prerë dhe mund të ankimohet në Gjykatën Supreme të Iranit.


Shtuar më 14.10.2026 09:07