Klevi Metaj, student i Universitetit të Tiranës, është bërë figura qendrore dhe më e përfolura e protestës studentore, pas tensioneve të dhunshme me forcat e policisë gjatë mbrëmjes së së martës.
Ai është djali i Brikena Metajt, e cila mbulon si korrespondente e News24 në Gjirokastër.
Të lidhura
None found
Në videot e shpërndara nga protesta, i riu shfaqet duke lëvizur në trotuar, derisa një polic e godet. Menjëherë më pas, ai përfshihet në një konfrontim fizik me gjashtë efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), të cilët mbanin shkopinj gome.
Pamjet e mëvonshme e tregojnë Metajn përballë disa policëve, ndërsa më pas dolën në dritë edhe foto ku ai shfaqet i prangosur pranë kangjellave të ministrisë. Në regjistrime të tjera, studenti duket me gjurmë të qarta dhune brenda një furgoni të policisë.
Incidenti ka shkaktuar një valë reagimesh në platformat sociale, ku përdoruesit po e shohin studentin si mishërim të një të riu që lufton për të drejtën e tij, teksa ndeshet me forcën policore.
Fraza “Studenti i drejtësisë në kërkim të së drejtës” është bërë përshkrimi më i përdorur për rastin e tij.
Konfliktet shpërthyen gjatë protestës së studentëve kundër ekzekutivit, e cila u karakterizua nga tensione dhe ndërhyrja e policisë. Ende mbeten për t’u zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe përgjegjësia për dhunën e raportuar ndaj protestuesve.






