Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, paralajmëroi të martën se mazhoranca do të realizojë reformën zgjedhore me ose pa opozitën, deklaratë që, sipas shoqërisë civile dhe opozitës, rrezikon legjitimitetin e zgjedhjeve.
Mazhoranca socialiste, paralajmëron se do të përdorë forcën e kartonëve në Kuvend për të çuar përpara reformën zgjedhore, vetëm pak ditë pasi miratoi në mënyrë të njëanshme hartën e re territoriale.
Të lidhura
None found
Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, akuzoi të martën Partinë Demokratike, si partia më e madhe e opozitës parlamentare, se po mbante peng realizimin e kësaj reforme dhe tha se ajo do të përmbyllet brenda afateve të përcaktuara.
“Unë shpresoj shumë që reforma zgjedhore të mos jetë e njëanshme, por dua t’i kujtoj Partisë Demokratike se po afrohet afati përfundimtar i këtij komisioni, që është fundi i nëntorit”, tha Balla në një komunikim për mediat.
Ai tha se afatet lidheshin edhe me detyrimet që vendi ka për plotësimin e kushteve për anëtarësim në Bashkimin Europian, ku brenda këtij viti është parashikuar miratimi i ligjeve që lidhen me reformën zgjedhore.
Ndërkohë, ai ftoi opozitën që t’i bashkohet diskutimit për propozime që lidhen me ndryshime kushtetuese, duke iu rikthyer idesë së kryeministrit Edi Rama për zvogëlimin e numrit të deputetëve nga 140 në 101.
Por deklarata u prit me kritika nga opozita dhe nga organizata të shoqërisë civile.
“Ky kërcënim i stilit mafioz që e trajton Kushtetutën si pazar është turp i një shteti, i cili është në procesin e integrimit europian”, i tha BIRN-it deputetja e PD-së, Ina Zhupa, duke komentuar deklaratën e Ballës.
Ajo shtoi se një reformë zgjedhore e njëanshme rrezikon legjitimitetin e zgjedhjeve.
“Rrezikon përfaqësimin, përdoret si mjet presioni kundër opozitës, duke krijuar mundësinë e një supermazhorance kushtetuese”, tha ajo në lidhje me propozimin e PS-së. Sipas Zhupës, Partia Demokratike është në tryezë mbi parime dhe për të adresuar gjithçka ka dalë nga raporti i OSBE/ODIHR-it dhe nuk është aty “për të bërë pazare mbi përfaqësimin”.
Për ekspertët e çështjeve zgjedhore, mazhoranca ka përgjegjësinë kryesore politike për ta jetësuar këtë reformë në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe standardet e përcaktuara nga Komisioni i Venecias, por kjo reformë duhet të bëhet me konsensus parlamentar.
“Konsensusi parlamentar buron nga vetë natyra e reformës zgjedhore, e cila përcakton rregullat e konkurrimit politik dhe, për këtë arsye, nuk mund të trajtohet si çështje e një mazhorance të vetme”, tha për BIRN-in Afrim Krasniqi nga Instituti i Studimeve Politike.
“Përvoja shqiptare ka treguar se reformat e bazuara në konsensus kanë pasur më shumë qëndrueshmëri, ndërsa ndërhyrjet e njëanshme në rregullat e lojës kanë prodhuar tensione dhe kriza politike”, shtoi ai.
Sipas Krasniqit, nëse reforma do të përfshijë edhe ndryshime kushtetuese, nevoja për konsensus bëhet edhe më e madhe.
Kërkesa e Kushtetutës për një shumicë të cilësuar votash e bën të domosdoshëm kompromisin politik midis mazhorancës dhe opozitës. Ai sugjeron se çdo debat mbi këtë çështje nuk duhet të kufizohet vetëm te numri i deputetëve, por të përfshijë edhe çështje të tjera që lidhen me arkitekturën institucionale, përfaqësimin politik dhe funksionimin e demokracisë.
“Pikërisht për këtë arsye, çdo ndërhyrje kushtetuese duhet t’i nënshtrohet një procesi serioz, të hapur, transparent dhe gjithëpërfshirës, me pjesëmarrjen e institucioneve, opozitës, ekspertëve dhe shoqërisë civile”, thekson Krasniqi.
Deklarata e Ballës shihet si shqetësuese për konsensusin që kërkojnë në parim si reforma zgjedhore, ashtu edhe ajo kushtetuese.
Rigels Xhemollari nga “Qëndresa Qytetare” e sheh deklaratën e Ballës si shqetësuese dhe thotë se “nuk mund të quhet reformë kur bëhet nga vetëm një parti”.
“Ky do të ishte një ligj i njëanshëm dhe do të rrezikonte legjitimitetin e zgjedhjeve”, i tha ai BIRN-it.
Ndërsa propozimin për ndryshimin e Kushtetutës ai e quan një ftesë për “pazar” që mazhoranca i bën opozitës dhe jo nisjen e një dialogu e konsultimi politik si bazë mbi të cilën të ngrihet një reformë kushtetuese./BIRN







