Prokuroria jep detaje për vrasjen në Pogragjë: 53-vjeçari dyshohet se vrau djalin dhe është ende në arrati

Prokuroria Themelore në Gjilan ka publikuar të dhëna të reja për ngjarjen e rëndë të ndodhur më 11.10.2026 në fshatin Pogragjë, ku 29-vjeçari B.A. dyshohet se u privua nga jeta me armë zjarri nga babai i tij, R.A., 53 vjeç.

Të lidhura

None found

Rasti është raportuar te Prokurori i Shtetit nga Policia e Kosovës-NJHP në Gjilan, rreth orës 19:20. Sipas njoftimit zyrtar, motivi i ngjarjes ende nuk është bërë i ditur, ndërsa i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes pas kryerjes së veprës dhe vazhdon të jetë në arrati.

Në vendin e ngjarjes kanë vepruar ekipet përkatëse të Policisë së Kosovës dhe Prokurori i Shtetit. Gjatë kontrollit të banesës së R.A. dhe ekzaminimit të zonës ku ndodhi krimi, janë sekuestruar 3 (tri) pushkë gjuetie, të cilat kishin leje me afat të skaduar.

Autoritetet kanë urdhëruar kryerjen e autopsisë së trupit të pajetë të viktimës, ndërsa hetimet po zhvillohen në bashkëpunim mes Prokurorisë Themelore në Gjilan dhe Policisë së Kosovës për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit.

Prokuroria ka bërë të ditur gjithashtu se R.A. dhe B.A. nuk kanë pasur të kaluar kriminale dhe ndaj tyre nuk është raportuar më parë ndonjë rast i dhunës në familje.

Rasti po hetohet për veprat penale “Vrasje e rëndë”, sipas nenit 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.3, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas nenit 366, paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, e ka bërë njoftimin publik më 12 Tetor 2026 përmes Zyrës për Komunikim Publik.


Shtuar më 12.10.2026 11:12