Agron Tare rrëfen njohjen mes Igli Tares dhe Belinda Ballukut: Miqësi që nga gjimnazi

Gjatë debatit në emisionin “Minuta e Parë” në News24, Agron Tare, foli për raportin e hershëm mes vëllait të tij, ish-futbollistit Igli Tare, dhe ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Ai komentoi gjithashtu, hetimin e SPAK-ut lidhur me sekuestrimin e dy vilave në emër të Igli Tares.

Të lidhura

None found

Sipas Agron Tares, njohja mes tyre ka nisur që në vitet e gjimnazit dhe ka vijuar me një marrëdhënie të afërt mes familjeve.

“Igli Tare është njohur me Belinda Ballukun në gjimnazin ‘Qemal Stafa’. Kemi pasur një miqësi familjare. Prindërit e Ballukut kanë qenë të internuar, ajo është rritur te gjyshja. Babai im kur janë njohur nuk ka qenë entuziast sepse për këto gjëra të ndodhte çudia atëherë. Marrëdhënia e Igli Tares dhe Belinda Ballukut ka qenë shumë e afërt”, u shpreh ai.

Duke iu referuar procedurës së SPAK-ut për dy vilat e sekuestruara, Agron Tare deklaroi se pasuria e të vëllait mbështetet në të ardhurat e siguruara gjatë karrierës së tij shumëvjeçare në futbollin europian.

“Igli Tare ka blerë dy vila. Nuk besoj se ka shqiptar të vendosë në dyshim burimin e të ardhurave të Igli Tares, se ka 20 e ca vite që ka një pagë vjetore rreth 1 milion euro. Vepra që akuzohet lidhet me atë nëse burimi i të ardhurave justifikohet, por burimi i të ardhurave të tij justifikohet plotësisht”, deklaroi Agron Tare.

Megjithatë, ai pranoi se autoritetet kanë bazat e tyre për të hetuar, duke nënvizuar se i beson procesit të drejtësisë.

“Ka fakte megjithatë, ka e-maile që e bëjnë legjitim dyshimin që ka SPAK dhe ne jemi shumë ‘ok’. Edhe unë, edhe vëllai im Igli Tare kemi besim te SPAK që në fund të hetimeve do të dalë në konkluzionin e duhur. Vëllai im është jashtë kësaj me lufte politike që bëhet. Ne kemi besim te drejtësia. Nëse vëllai im është i fajshëm, do të marrë dënimin e merituar”, përfundoi Agron Tare.


Shtuar më 9.10.2026 15:56