Bashkimi Europian, po hyn në dimrin 2026-2027 me rezerva gazi dukshëm më të ulëta se vitet e fundit, duke shtuar shqetësimet për sigurinë e furnizimit dhe çmimet e energjisë.
Megjithatë, Komisioni Europian ka kërkuar të qetësojë tregjet, duke deklaruar se infrastruktura energjetike e bllokut është e përgatitur për të përballuar kërkesën gjatë muajve të ftohtë.
Të lidhura
None found
Depozitat nëntokësore të gazit në BE ishin të mbushura në masën 72% më 1 tetor, krahasuar me rreth 83% në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe mesataren pesëvjeçare prej 88%, sipas të dhënave të raportuara nga The Wall Street Journal.
Rezervat më të pakta e bëjnë Europën më të ndjeshme ndaj ndërprerjeve të furnizimit dhe temperaturave të ulëta, në një kohë kur tensionet gjeopolitike vazhdojnë të ndikojnë tregjet ndërkombëtare të energjisë.
Në një deklaratë të publikuar më 8 tetor, Komisioni Europian theksoi se sistemi europian i gazit ka fleksibilitet të mjaftueshëm për të përballuar dimrin, falë zgjerimit të kapaciteteve të importit të gazit natyror të lëngshëm (LNG) dhe diversifikimit të burimeve të furnizimit.
Sipas Komisionit, Europa është më e përgatitur se gjatë krizës energjetike të viteve 2021-2022, kur reduktimi i furnizimeve ruse shkaktoi rritje të forta të çmimeve.
Megjithatë, Rrjeti Europian i Operatorëve të Sistemeve të Transmetimit të Gazit (ENTSOG) paralajmëron se rezervat mund të bien ndjeshëm nën 30% deri në fund të dimrit, nëse furnizimet ndërkombëtare me LNG mbeten të kufizuara.
Sipas raportit të ENTSOG, kapaciteti europian për rigazifikimin e LNG-së arrin në rreth 145 miliardë metra kub gjatë sezonit dimëror. Megjithatë, sigurimi i sasive të mjaftueshme do të varet nga kushtet e tregut ndërkombëtar dhe konkurrenca për furnizime.
Drejtori i Përgjithshëm i ENTSOG, Piotr Kuś, theksoi se infrastruktura europiane mbetet e qëndrueshme, por sigurimi i sasive shtesë është i rëndësishëm edhe për rimbushjen e depozitave gjatë vitit të ardhshëm.
Shqetësimet për furnizimin janë reflektuar në çmime. Sipas The Wall Street Journal, çmimi referues europian i gazit në qendrën holandeze TTF u rrit me 3.4%, në rreth 76 euro për megavat-orë, ndërsa analistët e ING paralajmëruan për cenueshmërinë e tregut ndaj ndërprerjeve të mundshme.
Ndërkohë, Reuters raporton se kërkesa europiane për LNG mbetet e fortë, ndërsa konkurrenca me tregjet aziatike mund të ndikojë në çmimet gjatë dimrit.
Situata ndërlikohet edhe nga përgatitjet e BE-së për reduktimin e mëtejshëm të importeve të gazit rus, në kuadër të planit REPowerEU.
Komisioni Europian ka njoftuar se do të monitorojë nga afër furnizimin, rezervat dhe çmimet gjatë muajve të ardhshëm.
Pavarësisht garancive të Brukselit, një dimër më i ftohtë se zakonisht ose ndërprerje të reja të furnizimit mund të shtojnë presionin mbi kostot e energjisë për industrinë dhe konsumatorët europianë./ Monitor






