Shehaj: Balluku vijon të jetë de fakto zv.kryeministre, Rama u tall me dëshmitaren e kërcënuar

Kreu i partisë Mundësia, Agron Shehaj, shprehet se Belinda Balluku vazhdon të ushtrojë funksionin e zv.kryeministres së Shqipërisë në mënyrë de fakto, pavarësisht se po hetohet nga SPAK për disa akuza penale.

Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Shehaj pretendon se Balluku vijon të ushtrojë presion dhe të shantazhojë ish-vartësit e saj, me synim që ata të mos bashkëpunojnë me drejtësinë. Sipas tij, kjo bëhet për të penguar zbardhjen e aferave që lidhen me tenderat në Ministrinë e Infrastrukturës dhe për të cilat ish-zv.kryeministrja po hetohet nga SPAK.

Të lidhura

None found

Shehaj përmendi edhe denoncimin publik të babait të Mirzeta Kashnicës, ish-vartëses së Ballukut dhe anëtares së Komisionit të Vlerësimit të Ofertave. Ai tha se babai i saj ka folur për presionet që e bija ka përjetuar para dhe pas dëshmisë së dhënë në SPAK kundër ish-shefes së saj.

“Edi Rama e përqeshi dëshmitaren e dosjes Balluku, e cila tha se ishte kërcënuar.

Tashmë babai i saj ka deklaruar se kërcënimet kanë qenë të vërteta, se kanë vazhduar edhe pas dëshmisë së saj në SPAK dhe se vajza e tij, e cila ishte pjesë e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, po mendon ende të largohet nga puna për shkak të presioneve.

Ndërkohë, Balluku vazhdon të ketë ndikim mbi institucionet që ka drejtuar dhe të jetë de fakto zv.kryeministre”, tha Shehaj.

Kreu i Mundësia argumenton se ndikimi i saj i vazhdueshëm dëshmohet edhe nga përgjimet e fundit të ish-punonjësve të ministrisë, të cilët ende e referojnë si “shefja”.

Shehaj u bëri thirrje qytetarëve të mbështesin drejtësinë, duke e cilësuar situatën aktuale si një pikë kritike për qeverisjen e mazhorancës socialiste.

“Në këtë pikë është katandisur Shqipëria. Për këtë arsye, drejtësia duhet mbështetur me çdo kusht”.

“Edi Rama, pa pikë turpi, u tall duke thënë: ‘E paska marrë Belinda këtë, e ka lidhur te karrigia dhe e paska detyruar të firmosë’.

Dje dëgjuam dëshminë e babait të saj, i cili tha: ‘Vajza ime është kërcënuar. Ka firmosur sepse është kërcënuar’. Sipas tij, kërcënimet kanë vazhduar edhe pasi ajo dëshmoi në SPAK për atë që kishte ndodhur.

Belinda Balluku vazhdon të jetë në detyrë. Ajo është de fakto zv.kryeministrja.

E them këtë sepse është fakt. Janë publikuar edhe investigime të tjera ku duket qartë se punonjësit e këtyre institucioneve ende e quajnë ‘Shefja’.”