Pas takimit dypalësh me ministrin e Jashtëm të RMV-së, Timço Mucunski, në Sofje, ministrja e Jashtme bullgare Velislava Petrova deklaroi se Bullgaria vijon të mbështesë perspektivën evropiane të Maqedonisë. Ajo sqaroi se kushtet për përparimin e saj nuk kanë ndryshuar që nga viti 2022.
Të lidhura
None found
Petrova e cilësoi takimin me Mucunskin si konstruktiv dhe tha se ai ishte zhvilluar me kërkesë të Maqedonisë, të cilën ajo e kishte pranuar. Sipas saj, Sofja pret përmbushjen e ndryshimeve kushtetuese, si edhe të gjitha elementeve të tjera të konsensusit të dakordësuar.
Gjatë bisedës, ministrja bullgare i kërkoi homologut të saj të paraqiste qëndrimin e Shkupit lidhur me afatet për realizimin e angazhimeve të marra.
“Qëndrimi i tyre është se duhet të krijohet një klimë besimi. Për mua, mënyra kryesore për ndërtimin e besimit është përmbushja e angazhimeve. Shpresoj të shohim hapa pozitivë në këtë drejtim”, u shpreh ministrja e Jashtme bullgare.
Ajo vuri në dukje se shtete të tjera të Ballkanit Perëndimor, mes tyre Shqipëria dhe Mali i Zi, po demonstrojnë vullnet politik për avancimin e tyre në procesin e integrimit evropian.
“Shpresoj që e njëjta gjë të ndodhë edhe me Maqedoninë”, shtoi Petrova, e cila theksoi se Sofja nuk po vendos kushte të reja për Shkupin.







