Nga 30 shtatori deri më 6 tetor nuk u identifikua asnjë rast i ri me ethet e Nilit Perëndimor në Maqedoni dhe nuk pati viktima të tjera. Sipas raportit javor të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), dy pacientë përfunduan trajtimin në spital dhe u liruan.
Të lidhura
None found
Prej fillimit të vitit 2026 deri më 6 tetor, në vend janë evidentuar 71 raste: 66 të konfirmuara dhe pesë të mundshme. Sëmundja u ka marrë jetën dhjetë pacientëve, të gjithë burra nga mosha 62 deri në 83 vjeç. Nëntë prej tyre ishin nga Shkupi dhe një nga Kumanova. Të gjithë kishin qenë të shtruar në spital, ndërsa nëntë prej të ndjerëve kishin sëmundje shoqëruese.
Nga 69 pacientët e shtruar me formën neuroinvazive të sëmundjes, 56 janë larguar nga spitali dhe tre vazhdojnë të marrin trajtim. Mesatarja e qëndrimit në spital për pacientët e liruar dhe ata që kanë ndërruar jetë ishte 15 ditë.
Rajoni i Shkupit ka numrin më të madh të rasteve, me 63 pacientë. Tre raste janë shënuar në Veles dhe rrethinë, dy në Kavadar dhe zonën përreth, ndërsa Kumanova, Shën Nikolla dhe Tetova kanë nga një rast secila.
Nga të gjithë pacientët, 52 janë burra dhe 19 gra.
ISHP-ja vëren se këtë vit numri i të prekurve është rritur ndjeshëm krahasuar me vitet e mëparshme./Telegrafi/







