McGrath pas takimit me Ramën: Shqipëria e ka vendin në BE, duhet të vijojë ritmin e reformave

Komisioneri europian për Demokracinë, Drejtësinë, Sundimin e Ligjit dhe Konsumatorët, Michael McGrath, e renditi Shqipërinë ndër vendet që po përparojnë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Pas takimit me kryeministrin Edi Rama, McGrath shkroi në rrjetet sociale se vendi ynë “e ka vendin në BE”, por nënvizoi se përpara anëtarësimit mbetet ende punë e rëndësishme për t’u kryer.

Të lidhura

None found

Ai siguroi se Bashkimi Europian do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë gjatë të gjitha fazave të procesit.

Sipas komisionerit, biseda me Ramën u përqendrua te zbatimi i reformave në drejtësi dhe te sundimi i ligjit, fusha që ai i përshkroi si “spirancën politike” të rrugës drejt anëtarësimit.

McGrath vlerësoi qeverinë shqiptare për ecurinë e deritanishme, duke theksuar se vendi ka shfaqur një histori të fortë progresi dhe ambicie të qartë.

“Shqipëria e ka vendin në BE dhe është një nga vendet pararendëse në procesin e anëtarësimit në BE”, shkroi ai, duke shtuar se ritmi i arritur duhet të ruhet, në mënyrë që rezultatet të jenë të qëndrueshme dhe të pakthyeshme.


Shtuar më 8.10.2026 18:55