Bashkimi Evropian vlerësoi sot se ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara është në kundërshtim me detyrimet ndërkombëtare që Kosova ka ndaj BE-së.
Të lidhura
None found
Zëdhënësi i BE-së, Christian Wigand, theksoi se duhen respektuar plotësisht pavarësia dhe mandati i Dhomave të Specializuara.
“Dhomat e Specializuara të Kosovës po vendosin drejtësinë mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale”, deklaroi Wigand. Ai shtoi se BE-ja e ka mbështetur vazhdimisht punën e këtij institucioni të pavarur gjyqësor.
“I bëjmë thirrje Kosovës të respektojë detyrimet ndërkombëtare për të garantuar pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës, si dhe zotimin për të siguruar llogaridhënie e drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë. Duhet të sigurohen mbrojtja dhe siguria e dëshmitarëve”, thuhet në reagimin e tij.
Ky qëndrim u bë publik një ditë pasi BE-ja shprehu “shqetësim të thellë” lidhur me votimin në Kuvend.
Të martën, Kuvendi miratoi në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke përfunduar kështu procesin parlamentar për projektligjin e iniciuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
Edhe pse selia e Dhomave ndodhet në Hagë, ato janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës. BE-ja është financuesi kryesor i tyre dhe, që prej themelimit, ka dhënë gati 400 milionë euro.





