Albin Kurti njoftoi se Lëvizja Vetëvendosje do të zhvillojë një mbledhje për të vlerësuar nëse gjatë ditës duhet të mbahet seanca parlamentare për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
Të lidhura
None found
Me afrimin e përfundimit të afatit për zgjedhjen e kreut të shtetit, Kurti i kërkoi PDK-së të japë garanci se do të jetë pjesë e seancës. Në të njëjtën kohë, ai bëri të ditur se Vetëvendosje do të kërkojë mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për votimin në lexim të dytë të ligjit për Specialen.
Kryeministri tha se brenda subjektit të tij do të diskutohet se cili është veprimi më i përshtatshëm. Sipas tij, duhet pritur një përgjigje lidhur me ofertën shtesë dhe nga partitë e tjera duhet të dëshmohet nëse janë vërtet të gatshme të mos e lënë Kosovën pa president.
Kurti deklaroi se nuk ka pasur komunikim me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku. Ai theksoi se LDK-ja i ka borxh Lëvizjes Vetëvendosje gjashtë deputetë në kuadër të përpjekjeve për zgjedhjen e presidentit, raporton KosovaPress.
Sipas Kurtit, Abdixhiku kishte negociuar në emër të 18 deputetëve, por më pas numri i tyre ra në 12, duke pamundësuar zgjedhjen e Bekim Sejdiut. Për këtë arsye, ai tha se në çdo situatë të ngjashme duhet të garantohet pjesëmarrja e gjashtë deputetëve dhe shtoi se do të komunikojë sërish me kreun e LDK-së.
Duke folur për protestën e zhvilluar mbrëmjen e kaluar, ku u përdorën mjete piroteknike dhe gaz lotsjellës, Kurti tha se disa raste janë referuar në Inspektoratin Policor. Qëllimi, sipas tij, është të verifikohet nëse ndonjë pjesëtar i policisë ka tejkaluar kompetencat ndaj protestuesve.
Kurti sqaroi se deri pas mesnatës kishte qëndruar në Kuvend dhe nuk kishte qenë në ndonjë vend tjetër, ndaj nuk i dinte hollësitë e protestës apo momentin kur kishte ndërhyrë policia.
