Prokuroria e Posaçme, ka kryer një kontroll në vilën e biznesmenit izraelito-amerikan Ron Yeffet në fshatin Pëllumbas.
Lajmi raportohet nga Piranjat, ndërsa kontrolli është kryer në kuadër të verifikimeve që po zhvillohen nga Prokuroria e Posaçme.
Të lidhura
None found
Emri i Ron Yeffet, është bërë veçanërisht i diskutuar në javët e fundit për shkak të aktivitetit të tij në sektorin e mbrojtjes dhe marrëdhënieve të biznesit në Shqipëri.
Yeffet është një biznesmen izraelito-amerikan, i cili është i përfshirë në disa kompani që operojnë në sektorin e mbrojtjes.
Ndër to janë “Timak Defence” dhe “Advanced Arms Technology”, kompani të krijuara në vitin 2025, me aktivitet në prodhimin dhe furnizimin e mjeteve ushtarake, armëve dhe dronëve.
Emri i tij është përmendur në audiopërgjime të bëra publike së fundmi nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj. Në këto materiale ngrihen pretendime për një skemë të mundshme të trafikimit të armëve dhe municioneve, ku përmenden Shqipëria, kompani të sektorit të mbrojtjes dhe KAYO.
Kontrolli i sotëm i SPAK në vilën e tij, rikthen në vëmendje aktivitetin e biznesmenit në Shqipëri dhe marrëdhëniet e tij me sektorin e mbrojtjes.
Pritet që në vijim të zbardhen më shumë detaje mbi objektin e kontrollit dhe nëse veprimet e SPAK, lidhen me një prej çështjeve që kanë dalë në publik gjatë javëve të fundit.
Yeffet është përmendur ndërkohë edhe në një çështje gjyqësore në Miami, ku një biznesmen amerikan e ka paditur për mospagesën e një detyrimi prej miliona dollarësh.
