Administrata e Tatimpaguesve të Mëdhenj shënoi 20-vjetorin e krijimit, një strukturë që u ngrit si pjesë e reformimit të administratës tatimore dhe që sot mbulon një rol të rëndësishëm në sistemin fiskal të vendit. Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, deklaroi se kompanitë e përfshira në këtë drejtori kontribuojnë me më shumë se 40% të të ardhurave tatimore.
Të lidhura
None found
Sipas ministres, krijimi i drejtorisë dy dekada më parë përfaqësoi një ndryshim të rëndësishëm brenda Drejtorisë së të Ardhurave Publike. Ky model, siç tha ajo, ka sjellë rezultate pozitive për institucionin dhe veçanërisht për bizneset që marrin shërbime prej tij.
Trajtimi i specializuar i tatimpaguesve të mëdhenj ka mundësuar kontakte të drejtpërdrejta e të vazhdueshme me kompanitë, njohje më të mirë të veprimtarisë së tyre, përcjellje më të shpejtë të të dhënave dhe menaxhim më të efektshëm të detyrimeve fiskale.
“Kompanitë që janë pjesë e kësaj drejtorie kanë peshë të veçantë në ekonominë e vendit. Ato investojnë, hapin vende pune, krijojnë vlerë të shtuar dhe kontribuojnë ndjeshëm në mbushjen e buxhetit”, u shpreh Dimitrieska-Koçoska.
Ajo nënvizoi se puna e drejtorisë ndikon përtej funksionimit të Drejtorisë së të Ardhurave Publike, pasi ka rëndësi për të gjithë ekonominë. Institucioni duhet të garantojë mbledhjen e saktë dhe në kohë të të ardhurave publike, si dhe zbatimin e njëtrajtshëm të legjislacionit tatimor, por paralelisht duhet të ofrojë komunikim të qartë, marrëdhënie profesionale dhe një klimë të parashikueshme për biznesin.
Ministrja theksoi se qëndrueshmëria dhe parashikueshmëria e sistemit tatimor ndikojnë drejtpërdrejt në vendimet afatgjata të kompanive për investime, punësime, zgjerim të kapaciteteve prodhuese dhe zhvillim të aktivitetit. Krijimi i kushteve të përshtatshme për investimet private, shtoi ajo, është thelbësor për një rritje ekonomike më të lartë dhe të qëndrueshme.
Jubileu i 20-vjetorit u cilësua gjithashtu si një moment për të vlerësuar arritjet e deritanishme dhe për të përcaktuar hapat e ardhshëm në përmirësimin e sistemit tatimor. Duke qenë se bizneset përballen me ndryshime të vazhdueshme, veçanërisht për shkak të përparimit të shpejtë teknologjik, institucionet duhet të përshtaten dhe të ofrojnë shërbime më moderne e funksionale.
Në këtë kuadër, Dimitrieska-Koçoska veçoi projektin “e-faturë”, i cili ka nisur të zbatohet nga Drejtoria e të Ardhurave Publike dhe përbën një element të rëndësishëm të dixhitalizimit të financave publike.
Sipas saj, ky projekt do të shkurtojë dhe thjeshtojë procedurat, do të pakësojë ngarkesën administrative dhe do të rrisë sigurinë, kontrollin dhe efikasitetin e proceseve të punës.
Ministrja tha se Ministria e Financave dhe Drejtoria e të Ardhurave Publike e kanë në fokus krijimin e një politike tatimore të parashikueshme dhe të një mjedisi të qëndrueshëm për veprimtarinë afariste. Ajo përmendi edhe financimin e siguruar nga Banka Hungareze për Eksport dhe Import, i cili po orienton mjete drejt ekonomisë maqedonase me kushte të favorshme dhe ka nxitur një cikël të rëndësishëm investimesh nga kompanitë, me vlerë rreth 300 milionë euro.
Ministria e Financave po vijon gjithashtu punën për përditësimin e legjislacionit tatimor dhe përafrimin e tij me standardet evropiane dhe ndërkombëtare. Në këtë proces përfshihet edhe Ligji i Tatimit Minimal Global mbi Fitimin, i cili konsiderohet hap i rëndësishëm drejt harmonizimit të rregullave vendase me normat bashkëkohore ndërkombëtare.
Ndërkohë, po përgatiten ndryshime dhe plotësime në Ligjin e Procedurës Tatimore, me synim vendosjen e procedurës së ankesës si mjet juridik kundër çdo akti administrativ.
Dimitrieska-Koçoska përsëriti se modernizimi i administratës tatimore nuk synon rritjen e barrës fiskale, por ndërtimin e institucioneve më efikase dhe më bashkëkohore, në shërbim të qytetarëve dhe komunitetit të biznesit.
“Mesazhi kryesor që dua të përcjell është se modernizimi i sistemit tatimor nuk nënkupton shtim të barrës tatimore. Ne vazhdojmë të mbështesim konceptin e tatimit të sheshtë, i cili u jep kompanive siguri dhe krijon një bazë të qëndrueshme për planifikimin e investimeve dhe rritjen e tyre. Po ashtu, mbetemi të angazhuar për institucione që u shërbejnë qytetarëve dhe bizneseve”, deklaroi ministrja Dimitreiska-Koçoska.
