Në truallin ku ndodhet kompleksi “Tajvan” parashikohet të ngrihet një kullë. Premtimi është ruajtja e gjelbërimit dhe aksesit publik, por ndikimi i një ndërtimi të tillë në Parkun Rinia shkon përtej kufijve të pronës private.
Një kullë e re parashikohet të ndryshojë pamjen e Parkut Rinia, një prej hapësirave më të rëndësishme publike në qendër të Tiranës. Studio daneze BIG – Bjarke Ingels Group është shpallur fituese e konkursit ndërkombëtar për projektin që do të zhvillohet në truallin e kompleksit të njohur si “Tajvani”.
Të lidhura
None found
Njoftimi është shpërndarë nga Kryeministria, pas një gare ku morën pjesë pesë studio ndërkombëtare: BIG, Barozzi Veiga, Cobe, l’AUC dhe JDSA – Julien De Smedt Architects.
Propozimi fitues parashikon një ndërtesë me volume të ngritura mbi nivelin e tokës, një zgjidhje që, sipas konceptit të prezantuar, synon të lirojë sa më shumë hapësirën në nivelin e parkut dhe të ruajë aksesin e publikut.
Por hapësira e lirë poshtë një ndërtese nuk i jep vetvetiu përgjigje pyetjes kryesore: Çfarë ndikimi do të ketë kulla mbi parkun dhe qytetarët që e përdorin atë?
Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në prezantimin e propozimeve, ka deklaruar se ndërtimi do të qëndrojë brenda perimetrit të pronës private dhe se gjelbërimi i Parkut Rinia nuk do të preket.
Ky është një zotim që kërkon të mbështetet me të dhëna konkrete. Kufiri i pronës përcakton vendin ku ndërtohet, por nuk kufizon hijen që mund të krijojë godina, ndikimin në peizazh, ngarkesën në infrastrukturë apo pasojat e kantierit për përdorimin e parkut.
Në materialet e paraqitura nuk jepen të dhëna të qarta për lartësinë përfundimtare, numrin e kateve, sipërfaqen totale të ndërtimit apo vlerësimin e ndikimit mbi hapësirën përreth. Po aq rëndësi ka sqarimi se si do të garantohet aksesi publik gjatë punimeve dhe pas përfundimit të projektit.
Përzgjedhja e një studioje të njohur ndërkombëtare përcakton autorin e konceptit arkitekturor por ajo nuk e zëvendëson nevojën për transparencë mbi përmasat e investimit, procedurat e miratimit dhe masat për mbrojtjen e parkut.
Prona ku planifikohet kulla mund të jetë private, por ndikimi i saj në zemër të Tiranës është çështje publike. Për qytetarët, pyetja thelbësore mbetet nëse ky transformim do ta ruajë Parkun Rinia si hapësirë të hapur e të gjelbër, apo do ta vendosë atë nën peshën e një tjetër ndërtimi të madh.
