Në bordin e një avioni të kompanisë Flydubai që kryente linjën Dubai–Tel Aviv, një pilot me origjinë indiane u plagos rëndë me thikë. Sulmuesi u vu nën kontroll nga pasagjerët dhe ekuipazhi gjatë incidentit.
Të lidhura
None found
Më pas, avioni u ul në mënyrë të sigurt në Arabinë Saudite. Autoritetet po hetojnë motivin e ngjarjes dhe nëse ajo ka lidhje me terrorizmin.
Incidenti ndodhi të mërkurën në fluturimin me kod FZ1073, i cili transportonte 174 persona nga Aeroporti Ndërkombëtar i Dubait drejt Aeroportit Ben Gurion në Tel Aviv. Rreth dy orë pas ngritjes, avioni humbi afërsisht 17 mijë këmbë lartësi, e më pas dërgoi sinjale emergjence dhe një alarm për rrëmbim.
Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, njoftoi se do të kërkojë që i dyshuari për këtë sulm t’i ekstradohet Izraelit.
Në një deklaratë lidhur me tentativën ndaj fluturimit të Flydubai-t, Ben Gvir u shpreh: “Do të kërkoj në Këshillin e Ministrave ekstradimin në Izrael të pilotit terrorist që u përpoq të vriste qindra izraelitë të pafajshëm. Këtu ai do ta përjetojë nga afër politikën time të burgut: e pret ferri në tokë”.
Sipas “The Times of Israel”, ministri izraelit tha se do t’u kërkojë Ministrisë së Drejtësisë dhe zyrtarëve përkatës diplomatikë të “përdorin të gjitha mjetet e disponueshme” për ekstradimin e të dyshuarit dhe vënien e tij para drejtësisë në Izrael.
“Kushdo që planifikoi të rrëzonte një aeroplan dhe të vriste 180 izraelitë duhet të ekstradohet në Izrael dhe të paguajë çmimin përfundimtar këtu”, shtoi ministri.
I dyshuari mbahet tani në Arabinë Saudite, atje ku u ul avioni. Arabia Saudite dhe Omani, vendi i prejardhjes së të dyshuarit, nuk mbajnë marrëdhënie diplomatike me Izraelin, çka mund të vështirësojë një ekstradim të drejtpërdrejtë.
Izraeli, ndërkaq, ka marrëdhënie diplomatike me Emiratet e Bashkuara Arabe, por midis tyre nuk ekziston një marrëveshje dypalëshe ekstradimi.
Burimet e medieve izraelite bëjnë të ditur se i dyshuari pritet të transferohet në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Një zyrtar i cituar nga mediat izraelite deklaroi: “Nuk mund ta themi me siguri derisa të përfundojë hetimi, por duket se ai ishte një sulmues vetëvrasës që ka të ngjarë të tentonte të rrëzonte avionin”.
Njëkohësisht, Izraeli ka nisur një hetim të brendshëm dhe po vlerëson ndryshime në procedurat e sigurisë.
Ndërkohë, Prokurori i Përgjithshëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, Hamad Saif Al Shamsi, ka urdhëruar formimin e një komisioni hetimor për incidentin me fluturimin FZ1073 të Flydubai-t, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve WAM.
Gjatë një interviste për Fox News, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dha hollësi të tjera mbi hetimin.
“Sulmuesi është nën hetim. Ja çfarë dimë: ai u radikalizua nga Islami”, tha Netanyahu.
Ai e lidhi këtë deklaratë me fjalët që, sipas tij, i dyshuari nga Omani i shqiptoi gjatë incidentit.
Netanyahu tregoi se i dyshuari u kishte thënë anëtarëve të ekuipazhit: “Më vritni”. Kryeministri izraelit theksoi se kjo mund të tregojë se ai kishte në plan të vetëflijohej dhe të shkaktonte rrëzimin e avionit.
Ai deklaroi gjithashtu se ka të dhëna që Irani mund të përpiqet të godasë objektiva izraelitë, veçanërisht gjatë periudhës zgjedhore.
Gjatë intervistës për Fox News, Netanyahu vlerësoi “guximin e jashtëzakonshëm” të pasagjerëve në fluturimin e Flydubai-t, të cilët ndihmuan për të neutralizuar sulmuesin.
“Mendoni për këtë”, tha Netanyahu. “Nëse herën tjetër e gjeni veten në një fluturim të rrëmbyer, sigurohuni që të keni një izraelit të ulur pranë jush.”
Në fund të intervistës, Netanyahu e lidhi këtë ngjarje me “urrejtjen” dhe argumentoi se, sipas tij, ajo kishte rrënjë në antisemitizëm, ndërsa disa persona ishin bërë viktima të asaj që ai e quajti “propagandë” që e demonizon Izraelin.
“Nuk e di të kaluarën e saktë të këtij personi, sulmuesit, por ai padyshim i urrente izraelitët, sepse ishte gati të vriste rreth 170 prej tyre në këtë aeroplan, duke vrarë edhe veten”, tha Netanyahu, duke shtuar se “ky është fanatizëm dhe urrejtje e një niveli të pallogaritshëm”.
