Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, gjatë protestës së mbajtur në Prishtinë, kërkoi unitet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe shprehu kritika ndaj mënyrës së trajtimit ndërkombëtar të çështjeve që lidhen me luftën e UÇK-së.
Të lidhura
None found
Haradinaj iu drejtua protestuesve në sheshin e Prishtinës, duke kërkuar drejtësi dhe zbardhjen e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Apelin kryesor ai e pati për 100 deputetët e Kuvendit, të cilëve u kërkoi të bashkohen dhe të përmbushin përgjegjësitë që kanë marrë përmes votës dhe premtimeve të tyre.
“Ju 100 deputetët që jeni atje, të 100-tit, secili me përgjegjësinë e vet dhe me peshën që ka kërkuar vetë me u ngarku, qoftë të votës, qoftë të premtimeve, ju thërrasim për bashkim! Bashkim! Bashkim!”, tha Haradinaj.
Gjatë fjalës së tij, ish-drejtuesi i OVL-UÇK-së kritikoi edhe komunitetin ndërkombëtar, duke deklaruar se besimi i qytetarëve të Kosovës ndaj tij ishte ndërtuar mbi mbështetjen për luftën e UÇK-së.
“Ndërkombëtarët, që ju besuam sepse i patëm bindur të na ndihmojnë në luftën e UÇK-së dhe bashkë të fitojmë. Ata u ndanë pa viktima sepse ne na kishin këtu. Ata morën mburrjen, ne morëm lirinë. Por tani ju themi: Na keni tradhtuar dhe na ktheni besimin!”, deklaroi ai.
Sipas Haradinajt, protestuesit nuk kërkojnë asgjë tjetër përveç drejtësisë dhe dokumentimit të krimeve, ndërsa kundërshtoi përdorimin e rasteve të luftës për qëllime të tjera.
“Ne kërkojmë vetëm drejtësi! Drejtësi dhe zbulim të krimeve patjetër, sepse shumë herë po mundohen ta keqpërdorin. Kosova ka ngritur institucione, ka njerëz profesionalisht që drejtësinë ta çojnë në vend”, u shpreh Haradinaj.
Ai tha se viktimat civile dhe masakrat nuk duhet të klasifikohen si ngjarje të veçuara individuale, duke kundërshtuar mënyrën e trajtimit të këtyre rasteve.
“Ndërkombëtarë nuk mund të mashtroni se janë raste individuale. Nuk pranojmë të ofendohen 400 të ekzekutuarit në masakra, nuk pranojmë të ofendohen fëmijët tanë, nuk pranojmë të ofendohet gjaku ynë!”, tha ai.
Fjalimin e mbylli me një apel për bashkim rreth UÇK-së dhe me një mesazh për ish-pjesëtarët e saj që ndodhen në Hagë.
“Rroftë UÇK-ja! Nga sot e tutje, të gjithë UÇK! Lavdi dhe shokëve atje në Hagë ju përshëndes! Nasimi, që ju jeni në Hagë e këta këtu, ose do t’ju sjellim juve këtu, ose do të vijmë atje! Rroftë UÇK-ja”, përfundoi Haradinaj.
