Një vatër zjarri ka përfshirë pasditen e sotme venddepozitimin e mbetjeve të Bashkisë Bulqizë, i cili ndodhet mbi fshatin Plan i Bardhë, në territorin e Bashkisë Klos.
Shkaku i shpërthimit të flakëve ende nuk është përcaktuar, ndërsa djegia e mbetjeve plastike ka krijuar një re të dendur tymi të zi që ka mbuluar zonën përreth.
Të lidhura
None found
Menjëherë pas njoftimit, shërbimi zjarrfikës i Bashkisë Klos është drejtuar në vendngjarje për të ndërhyrë dhe shuar zjarrin.
Flakët paraqesin rrezik për përhapje drejt masivit pyjor me dushqe të fshatit Plan i Bardhë, si edhe në drejtim të banesave.
Autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë që zjarri të jetë shkaktuar qëllimisht dhe pritet të nisë hetimi për zbardhjen e rrethanave.
Venddepozitimi i mbetjeve të Bashkisë Bulqizë ndodhet përgjatë aksit Qaf Buall–Martanesh. Sipas të dhënave, aty mungojnë masat e sigurisë dhe hyrja në territorin e fushës së mbetjeve është e mundur për çdo person.
