Fati i Arjan Salës që u fut mes zjarrit për të shpëtuar punonjësit, vijon të jetë një mister.
Roja i sigurisë dyshohet të ketë humbur jetën në magazinën që u përfshi nga zjarri pasditen e djeshme tek mbikalimi i Kamzës, por ende nuk është gjetur.
Mësohet se roja rreth 30-vjeç u fut në magazinë për të shpëtuar punonjësit nga zjarri që kishte rënë, por dyshohet se ka mbetur vetë brenda. Familjarët kanë tentuar të lidhen disa herë me të nëpërmjet celularit, por pa sukses.
Xhaxhai i 30-vjeçarit mbrëmë tha se shpresat i kanë vetëm te Zoti, pasi shteti nuk e ka bërë detyrën. I riu është prind i një djali 2 vjeç dhe kishte disa vite që punonte në sektorin e sigurisë në këtë magazinë, ndërsa tashmë ishte përgjegjës.
Ai tha se nipi është futur për të shpëtuar punonjësit e tjerë, të cilët i nxori, por në fund vetë mbeti brenda.