Historiani bullgar Naum Kajçev, pjesë e Komisionit të Përbashkët Historik dhe Arsimor mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, foli për transferimin e pritshëm të eshtrave të Car Samuilit nga Selaniku drejt Sofjes.
Të lidhura
None found
Ai vlerësoi se autoritetet maqedonase mund të zgjedhin të reagojnë zyrtarisht me “më shumë heshtje”, ndërsa paralajmëroi se tashmë janë shfaqur qëndrime që vënë në dyshim përkatësinë historike të Samuilit.
Sipas Kajçevit, në vitin 2019 Komisioni i Përbashkët ra dakord se Samuili kishte qenë udhëheqës i një shteti mesjetar, të cilin pjesa më e madhe e historiografisë moderne e njeh si Mbretëria Bullgare.
“Samuili, si figurë e historisë sonë të përbashkët, duhet të shërbejë si urë bashkimi mes nesh”, deklaroi historiani në një intervistë për “Euronews Bulgaria”.
Gjatë prononcimit, Kajçev u ndal edhe te kërkesat nga Maqedonia që Bullgaria të rikthejë pasuritë kulturore të marra gjatë periudhave të luftës.
Ai tha se gjatë Luftërave Ballkanike dhe Botërore, autoritetet dhe ushtria bullgare mbrojtën shumë dorëshkrime dhe objekte të rëndësishme historike, mes tyre edhe materiale që lidhen me Kryepeshkopatën e Ohrit dhe Car Samuilin.
Kajçev shtoi se aspektet ligjore për këto pasuri tashmë janë sqaruar, ndërsa zgjidhja e çështjes varet kryesisht nga “vullneti i mirë dhe mirëkuptimi i duhur”, si dhe nga pranimi se historia duhet të afrojë popujt dhe jo t’i ndajë./Telegrafi/
