Komisioni parlamentar për mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) zhvilloi mbledhjen e parë pas votimit të 16 komisioneve parlamentare në Kuvendin e Kosovës gjatë së hënës.
Të lidhura
None found

Në rendin e ditës së mbledhjes ishte shqyrtimi dhe miratimi i fushëveprimit të komisionit. Kryesuesi Bekë Berisha, nga grupi parlamentar i Aleancës, njoftoi se takimi do të zhvillohej pa praninë e mediave.
Berisha sqaroi se edhe në të kaluarën mbledhjet e këtij komisioni janë mbajtur në mënyrë të mbyllur për mediat.
Pas konstituimit të komisionit, deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) u larguan nga mbledhja. Ata kërkuan që Kuvendi të procedojë sa më shpejt plotësim-ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Deputetja Besa Kabashi-Ramaj deklaroi se krijimi i institucioneve është i rëndësishëm, por theksoi se në këtë moment prioriteti kryesor për Kosovën duhet të jetë ligji për Dhomat e Specializuara.
“Ne sapo morëm pjesë në komisionin për mbikëqyrjen e AKI-së dhe natyrisht si Parti Demokratike e Kosovës konsiderojmë që konstituimi i institucioneve është shumë i rëndësishëm, prandaj edhe ishim aty. Mirëpo gjithashtu jemi larguar nga ky takim pas konstituimit për shkak se për momentin për Republikën e Kosovës nuk ka ndonjë prioritet më të madh se sa procedimi i plotësim-ndryshimit të ligjit për Specialen”, tha Kabashi-Ramaj.
Edhe deputeti Rrahman Rama e cilësoi këtë çështje si “prioritet mbi prioritetet”. Ai paralajmëroi se PDK-ja nuk do të marrë pjesë në komisione të tjera parlamentare derisa ligji të procedohet.
“Por neve si parti, qysh e tha edhe Besa, është prioritet mbi prioritetet ligji. Dhe ne nuk do të marrim pjesë në asnjë komision pa u kry ky ligj. Në qoftë se shohim kanë ardhur shumë ligje këtu brenda për brenda Kuvendit nëpër komisione të ndryshme, dhe ne besojmë, dhe po besoj, edhe gjithë qytetarët besojnë që prioriteti numër një është Ligji për Dhomat e Specializuara”, deklaroi Rama.
I pyetur për zotimin e kryeministrit se ligji do të dërgohet në procedurë brenda javës, Rama tha se PDK-ja pret që kjo të realizohet sa më shpejt.
“E presim, e presim na, këtu jemi domethënë, por ne presioni është që sa më parë që të vjen, sa më parë që është e mundshme me ardhur në kuvend dhe t’i kryejmë të gjitha procedurat”, tha Rama.

Rama foli edhe për takimet e paralajmëruara mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, të cilat lidhen me çështjen e presidentit.
Ai përsëriti se, përpara diskutimeve për këtë çështje, sipas PDK-së duhet të procedohet ligji për Dhomat e Specializuara. Kjo, siç tha ai, duhet të përfshijë mbikëqyrjen e procesit dhe përkrahjen financiare.
“Ju e dini edhe qëndrimin e PDK-së po edhe të vetë kryetarit Bedri Hamza. Për neve prioritet është e para, domethënë ligji për Dhomat e Specializuara të ketë mbikëqyrje, domethënë të procesit dhe përkrahje financiare. Dhe pas asaj mundemi me u ulë dhe me diskutuar dhe është edhe me ne edhe qëndrimi jonë që të ketë sa më parë që është e mundshme Kosova t’i ketë të gjitha institucionet”, tha Rama.
