Koalicioni qeverisës në Mitrovicë, ku bënte pjesë edhe Aleanca Kosova e Re (AKR), është ndërprerë të mërkurën nga kryetari i komunës, Faton Peci. Kështu ka bërë të ditur kryetari i AKR-së, Emir Abrashi, i cili e ka cilësuar vendimin të njëanshëm.
Të lidhura
None found
Abrashi ka deklaruar se shkak për prishjen e bashkëpunimit ishte aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë në çështjen e ngritur nga Behgjet Pacolli ndaj Pecit.
Të mërkurën, Pacolli njoftoi se gjykata e kishte aprovuar padinë e tij dhe e kishte obliguar Faton Pecin ta dëmshpërblente për dëmin jomaterial të lidhur me deklaratat që ai kishte bërë ndaj Pacollit në nëntor të vitit 2024.
Sipas kreut të AKR-së, mënyra dhe koha e vendimit për ndërprerjen e koalicionit dëshmojnë se interesat personale janë vendosur mbi ato të qytetarëve të Mitrovicës.
Pas këtij vendimi, nga posti është shkarkuar edhe Gani Rrustemi, i cili përfaqësonte AKR-në në drejtimin e Drejtorisë për Ekonomi, Zhvillim, Turizëm dhe Integrim Evropian.
Ndërkohë, edhe raportime të tjera në media kanë bërë të ditur se Peci i ka dhënë fund bashkëpunimit me AKR-në, ndërsa Rrustemi është larguar nga detyra e drejtorit komunal.
Abrashi ka sqaruar se padia ndaj Pecit ishte ngritur nga Pacolli në kapacitetin e tij personal. Ai ka shtuar se Pacolli nuk ushtron më asnjë funksion drejtues apo ekzekutiv në AKR që nga gushti i vitit të kaluar.
“Për rrjedhojë, bartja e një kontesti personal gjyqësor në raportet e qeverisjes komunale është e pajustifikueshme dhe në dëm të stabilitetit institucional dhe interesit qytetar”, ka deklaruar Abrashi.
Ai ka nënvizuar se qeverisja lokale duhet të mbështetet te përgjegjësia ndaj qytetarëve, puna dhe rezultatet, e jo te përplasjet personale.
“Vendimi i sotëm dëshmon që një parim i tillë nuk vlen edhe për ish-partnerët tanë në këtë koalicion”, ka thënë kryetari i AKR-së.
Abrashi ka bërë të ditur se AKR-ja e konsideron të përfunduar pjesëmarrjen në koalicionin qeverisës në Mitrovicë, duke pretenduar se gjatë kësaj periudhe ka realizuar “punë konkrete dhe rezultate”.
Megjithatë, dega e AKR-së në Mitrovicë do të vijojë aktivitetin dhe organizimin politik, me synimin për të siguruar në të ardhmen mbështetjen e qytetarëve dhe për të marrë drejtimin e komunës.
“AKR në Mitrovicë do të vazhdojë fuqishëm organizimin dhe punën e saj politike, me synimin për ta fituar besimin e qytetarëve dhe për të rimarrë përgjegjësinë për udhëheqjen e komunës”, ka deklaruar Abrashi.
